Aktivisti shprehet optimist: Rama do të japë dorëheqjen, Diaspora do të na bashkohet sërish

Aktualitet

Aktivisti shprehet optimist: Rama do të japë dorëheqjen, Diaspora

Aktivisti Edison Lika foli për protestat që vijojnë prej kohësh kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Ai zbuloi gjithashtu detaje në lidhje me tubimet që do të mbahen më 14, 15 dhe 16 gusht, ku në shesh pritet të rikthehet edhe diaspora.

Në një intervistë për mediat, aktivisti Lika deklaroi se diaspora ka treguar një mbështetje të madhe jo vetëm duke protestuar në Tiranë, por edhe në mbi 70 vende ku jetojnë.

“Në këtë protestë kemi kuptuar se diaspora është këtu edhe për mbështetje politike. Na kanë treguar se ata nuk kanë qenë kurrë dakord të largohen, por të detyruar. Kemi të bëjmë me një diasporë, e cila një pjesë të madhe të kohës së saj e kalon me kokën nga Shqipëria. Kanë treguar se do të jenë krah nesh për të dëbuar ata që na dëbuan nga Shqipëria.


Në dijeninë time është protestuar në më shumë se 70 qytete në vende të ndryshme. Diasporën e kemi thirrur gjithmonë dhe i janë bashkuar protestës. Ama kanë lajmëruar se të paktën në 14, 15 dhe 16 gusht do të jenë në shesh për t’iu bashkuar rezistencës e cila vijon.

Më 14 kanë premtuar se do të jenë të gjithë bashkë për t’iu bashkuar protestës në Tiranë. Ne e kemi fituar përfundimisht diasporën, jo veëtëm si shtetin social të munguar por edhe mbështetësin serioz që i ka munguar vendit“, tha aktivisti.

Ai u shpreh i bindur se në shtator do të rindizet protesta, duke theksuar se pritet të ketë një pjesëmarrje të madhe të qytetarëve.

“Ne po presim edhe shtatorin që protesta të rindizet dhe të marrë masiviteti që meriton. Është krijuar një frymë që njerëzit janë me protestën dhe kjo nuk zhbëhet. Kjo protestë nuk mund të ndalet dot.”, tha ai.

Sipas Likës, dorëheqja e kryeministrit do të arrihet shumë shpejt nëse qëndrojnë stoikë ndaj kërkesave të tyre.


“Garancia e kësaj proteste ka qenë konsistenca, ne nuk do të largohemi nga sheshi, qëllimet dhe objektivat tona. Nëse mbajmë këto tre shtylla, mendoj se dorëheqja do të arrihe shumë shpejt.

Edhe brenda PS kemi parë se ka tensione të mëdha, brenda olgarkisë ekonomike ka tensione të mëdha. Dhe ndërkombëtarët nuk kanë më të njëjtën mbështetje ndaj Ramës. Ne numërojmë para, ndërsa Rama mbrapsht. Mendoj se numërimi mbrapsht i Ramës do të intensifikohet më shumë”, tha ai.

Një koment bëri edhe për deklaratat e Ramës se nuk jep dorëheqjen për shkak se ka një kontratë me 800 mijë personat që e kanë votuar, duke e cilësuar si alarmante. Sipas tij, kryeministri nuk mund të flasë vetëm për votuesit e tij, por për të gjithë qytetarët e vendit.

ME TE LEXUARAT