I dënuar në Itali me 13 vite burg për shfrytëzim prostitucioni, arrestohet në Tiranë 48-vjeçari (EMRI)

Një 48-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku është dënuar me 13 vjet burgim për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit.
Sipas Policisë së Shtetit, në pranga ra Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili u lokalizua në zonën e Institutit Bujqësor. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Napolit e kishte dënuar në nëntor të vitit 2021 me 13 vjet burgim.
Sipas autoriteteve italiane, Nikolli, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion gra të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Hetimet tregojnë se ai ushtronte edhe dhunë ndaj viktimave, me qëllim mbajtjen e tyre nën kontroll dhe përfitimin maksimal nga shfrytëzimi i tyre.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në nëntor të vitit 2021, e ka dënuar me 13 vjet burgim për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Skllavërimi/Nënshtrimi”, të parashikuara nga legjislacioni penal italian”, njofton policia.
Interpol Tirana po vijon procedurat për ekstradimin e 48-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore italiane.