Artistët kundërshtojnë “pensionin”: Të miratohet më parë statusi. Po vendoset për të ardhmen tonë, pa na dëgjuar

Aktualitet

Artistët kundërshtojnë “pensionin”: Të miratohet

85 artistë dhe profesionistë të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor e të Cirkut Kombëtar kundërshtojnë projektligjin për trajtimin financiar të tyre  pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike.

Përmes një peticioni, ata kërkojnë që drafti të mos miratohet në formën aktuale dhe që fillimisht të hartohet Statusi i Artistit.

Projektligji parashikon që artistët mund të lënë skenën në moshën 47 vjeç dhe mund të përfitojnë trajtim financiar para moshës së pensionit, me skemën që pritet të nisë në janar 2027.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk pranojmë, miratimin e asnjë skeme të veçuar të trajtimit financiar, pa u hartuar dhe miratuar më parë statusi i artistit”, tha Julian Kazazi, kreu i SPAKMSH

Sindikata e Pavarur e Artit dhe Kulturës argumenton se një skemë vetëm për trajtimin financiar pas largimit nga skena nuk zgjidh problematikat e profesionit. Sipas saj, Statusi i Artistit duhet të rregullojë në mënyrë tërësore çështje që lidhen me pensionin, pagën dhe vjetërsinë, mbrojtjen shëndetësore e sociale, kushtet e punës, si dhe tranzicionin e artistit drejt një tjetër funksioni profesional.

 “Nuk mund të hartohet një ligj për artistët pa artistët dhe nuk mund të përcaktohet e ardhmja e një profesioni pa dëgjuar përfaqësuesit e tij. Dialogu social nuk është formalitet”, shtoi Kazazi.

Përfaqësuesit e Sindikatës pretendojnë gjithashtu se nuk janë përfshirë në fazën e hartimit të projektligjit. Ata kërkojnë ngritjen e një tryeze të përhershme mes Ministrisë, Sindikatës, artistëve dhe ekspertëve, përpara se të vijohet me miratimin e nismës.

“Kjo na ka shokuar disi, sepse nuk është e drejtë. Duhet të merren artistët më këtë punë, jo njerëz dosido”, u shpreh Eva Golemi, soprano

 “Nuk është lajmëruar asnjë nga ne, e kemi marrë vesh nga rrjetet sociale”, tha Armando Likaj, bariton

Një tjetër kundërshtim lidhet me kategoritë që përfshihen në projektligj. Sindikata kërkon që mbrojtja të shtrihet jo vetëm tek artistët e institucioneve publike, por edhe tek artistët e pavarur, të vetëpunësuari dhe ata që punojnë me kontrata të përkohshme.

Ndërkohë Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e ka hedhur projektligjin për konsultim publik. Ndërsa të premten është planifikuar një takim mes Ministrisë dhe grupeve të interesit, ku artistët pritet të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre lidhur me nismën.

ME TE LEXUARAT