Ata që e rekrutuan në Angli, 500.000 euro për të vrarë Ruben Saraivën në burg, portugezi u dënua dje me burg përjetë

Nga i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, në i kërkuar për t’u vrarë për një çmim prej 500.000 euro nga ata që e punësuan si vrasës me pagesë.
Ky çmim është vënë për eliminimin në burg të portugezit Ruben Saraiva, i cili u dënua me burg përjetë nga gjyqtari Lirim Bulica, të mërkurën në Gjykatën e Lezhës, për vrasjen në bashkëpunim të Ardian Nikulajt.
Eliminimi i tij në burg kërkohet nga frika se mos Saraiva, në një moment, kthehet në bashkëpunëtor të drejtësisë shqiptare dhe tregon rekrutuesin dhe paguesin në Angli për të ardhur në Shqipëri si vrasës me pagesë.
31-vjeçari portugez, i rritur në Londër, mbërriti në gjykatë dje i shoqëruar nga një skuadër e armatosur me armë gjysmë automatike “Berreta” nga Operacionalja e Burgjeve.
Ndërsa perimetri i Gjykatës së Lezhës ishte rrethuar nga 15 punonjës të policisë kriminale të këtij qyteti, pa uniformë, dhe 5 të tjerë të Forcave Shqiponja.
Në sallë qëndruan 8 efektivë të armatosur të skuadrës operacionale të burgjeve, ndërsa Ruben Saraiva, i veshur me një kostum të zi “Nike”, ishte në ‘kafazin’ e gjykatës nën ruajtjen e tre gardianëve.
Përballë kishte Rudina Nikulajn, bashkëshorten e Ardian Nikulajt, së bashku me disa miq të tij.
Këto masa sigurie, përfshirë ato në të cilat ai mbahet në paraburgimin 302 “Mine Peza”, lidhen me një informacion të mbërritur në rrugë operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Ky informacion i mësuar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, sugjeronte se për kokën e Saraivës, i vrarë në burg, paguheshin 500.000 euro.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni shqetësues, ai u vendos nën një regjim strikt izolimi nga të burgosurit e tjerë.
“Ambasada e Portugalisë në Romë ka ndërmarrë veprime që nga momenti kur mori dijeni për ndalimin e shtetasit portugez Ruben Saraiva dhe Konsulli i Nderit i Portugalisë në Tiranë ka siguruar ndjekjen e seancës së leximit të vendimit, e cila u zhvillua dje (25/03) dhe në të cilën gjykata vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për të ndaluarin”, deklaroi ministria e Punëve të Jashtme në Portugali.
Duhet sqaruar, thekson kjo ministri, se nuk ekziston asnjë marrëveshje ekstradimi, marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike apo marrëveshje për transferimin e personave të dënuar ndërmjet Portugalisë dhe Shqipërisë megjithatë, do të shqyrtohen të gjitha mundësitë./ Top Channel


