Dita e 37-të e protestës, pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët nisën marshimin në rrugët e Tiranës

Protesta e aktivistëve dhe qytetarëve në Tiranë ka hyrë në ditën e saj të 37-të radhazi. Si çdo pasdite, edhe këtë të hënë, rreth orës 19:40, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” ku vijuan me thirrjet e tyre ‘Rama jepe dorëheqjen’ dhe ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Më pas, turma e protestuesve u nis drejt Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ duke u ndalur para godinës së Kryeministrisë, ku vijuan me thirrje dhe pankarta në kuadër të protestës së tyre të përditshme.
Për rreth dy orë u mbajtën fjalime nga pjesëmarrës të ndryshëm, ndërsa më pas protestuesit nisën marshimin e tyre të përnatshëm në rrugët e Tiranës.
Kërkesa kryesore e kësaj lëvizjeje mbetet dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, të cilën protestuesit e konsiderojnë si qëllimin kryesor të kësaj proteste të vazhdueshme.


