“‘E kam në magazinë…!’ Komshiu ndërton pa leje, i heq derën e shtëpisë

Emisioni “Stop” në Tv Klan trajtoi mbrëmjen e sotme, më 8 prill, një konflikt pronësie mes dy familjeve fqinje, Xhemitiku dhe Mustafa, në zonën e Plazhit në Durrës.
Sipas familjes Xhemitiku, ata kanë jetuar dhe kanë pasur pronën e tyre prej vitesh, por situata ka agravuar rreth një muaj më parë, pasi familja Mustafa ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme, duke prishur murin rrethues dhe derën e tyre, për të nisur një ndërtim të ri.
“Kërkoj që të kryhet verifikimi nëse është në tokën e vet apo nuk është në tokën e vet. Nëse është në tokën e vet, ta gëzojë, nëse nuk është në tokën e vet, ta lirojë e ta kthejë në gjendjen e mëparshme”, u shpreh përfaqësuesi i familjes Xhemitiku.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e familjes Mustafa, Makbule Mustafa, deklaron se ndërtimi është kryer në pronën e tyre dhe në përputhje me dokumentacionin që disponojnë. Ajo shprehet se ka zbatuar lejen e marrë dhe madje pranon se derën e fqinjëve e ka hequr dhe e mban në magazinë, duke këmbëngulur se gjithçka është brenda kufijve të pronës së saj.
“Muri ka rënë vetë… ta jap portën unë, te magazina e kam. Ti e ke vënë portën pasi është dhënë çertifikata. Ka qenë në tokën tonë”, pohoi Makbule Mustafa.
Drejtoresha e Urbanistikës në Bashkinë e Durrësit, Ana Hoxha, konfirmon se familja Mustafa është pajisur me një leje rikonstruksioni. Megjithatë, ajo thotë se kjo leje ka përfshirë edhe një shtesë voluminoze, çka ngre dyshime mbi zbatimin korrekt në terren.
Ndërkohë, IMT ka ndërhyrë për verifikim dhe drejtori Ilir Ngresi deklaron se ndërtimi i ri është konstatuar si pa leje, duke sjellë masa administrative, gjobë dhe pezullim të punimeve.
Sipas tij, çështja është referuar në prokurori dhe i është lënë kohë subjektit për ta prishur vullnetarisht ndërtimin. Në të kundërt, autoritetet do të ndërhyjnë për prishjen e tij./tvklan


