FOTOLAJM/ Revolta kundër Ramës “pushton” Mynihun, diaspora shqiptare kërkon transparencë: “Jep dorëheqjen!”

Vala e protestave të diasporës shqiptare ka përfshirë edhe Mynihun e Gjermanisë, duke vijuar mobilizimet në disa kryeqytete evropiane kundër qeverisë.
Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh u bënë pjesë e një tubimi ku valëvitën pankarta dhe banderola me thirrje për llogaridhënie, transparencë dhe reagim ndaj temave që, sipas tyre, kanë tronditur opinionin publik.

Protesta vuri në shënjestër akuzat për dhunë ndaj qytetarëve, rastin e Zvërnecit, tjetërsimin e pronave shtetërore, si dhe kundërshtimin ndaj ligjeve për zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.

Pjesëmarrësit shpalosën edhe një banderolë të gjatë që pasqyronte, sipas tyre, problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria, shoqëruar me pyetje drejtuar qeverisë për skandalet e supozuara dhe vendimmarrjen për çështjet me interes publik.
Mes pankartave që hoqi vëmendje ishte ajo me portretin e një qytetareje të moshuar, e cila u shoqërua me forcë nga efektivët e policisë gjatë manifestimit të zhvilluar të enjten pranë Kuvendit të Shqipërisë. Pranë fotos qëndronte një mesazh që kërkonte përgjegjësi për forcën e ushtruar mbi protestuesit.

Disapora ka spikatur gjatë muajit qershor dhe korrik me protestat e saj në kryeqytetet evropiane dhe botërore si dhe para ambasadave shqiptare të disa vendeve.

Organizatorët nënvizuan se grumbullimi në Mynih bën pjesë në një cikël protestash të diasporës shqiptare, të shtrira gjatë qershorit dhe korrikut në qytete të ndryshme europiane e më tej, si dhe para ambasadave shqiptare, ku kërkohet ndryshim politik dhe më shumë përgjegjshmëri institucionale.


