Gjykata e Shkodrës merr vendimin, “Arrest shtëpie” për babë e bir pas plagosjes në Poliklinikë

Aktualitet

Gjykata e Shkodrës merr vendimin, “Arrest shtëpie”

Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 18-vjeçarin Arvin Fregjaj dhe babain e tij Agron Mehmeti, të përfshirë në konfliktin e 16 korrikut në Poliklinikën e Shkodrës, ku mbeti i plagosur Vildan Kepëca.

Seanca gjyqësore, e drejtuar nga gjyqtarja Arta Llazani, me prokuror Ndriçim Halilaj dhe avokat Bruno Pepa, mori një tjetër rrjedhë pasi gjykata rrëzoi akuzën e “tentativës për vrasje”.

Sipas burimeve nga seanca, 18-vjeçari dhe babai i tij kanë shfaqur pendesë për konfliktin, duke deklaruar se ngjarja ka ndodhur në kushtet e një përplasjeje të çastit dhe gjaknxehtësisë. Nga hetimet paraprake, sipas mbrojtjes, nuk është provuar se i riu ka pasur thikë gjatë konfliktit.

Duke u bazuar në provat e paraqitura dhe qëndrimin e të pandehurve, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për të dy.

Me të njëjtën masë sigurie u la edhe Arben Kepëca, vëllai i të plagosurit, i cili akuzohet për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”, pasi u arrestua me një pistoletë pas ngjarjes.

Hetimet për konfliktin e ndodhur në Poliklinikën e Shkodrës vijojnë, ndërsa pritet të zbardhen më tej rrethanat e përplasjes.

ME TE LEXUARAT