Grabitja si nëpër filma e 4.6 mln eurove në Rinas/ Kushtetuesja rrëzon ankimin e Saimir Çelës

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e Saimir Çelës, i dënuar për grabitjen e 4.6 milionë eurove në aeroportin e Rinasit, duke vendosur të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare.
Në ankimin e tij, Çela kundërshtoi, ndër të tjera, përdorimin e një përgjimi ambiental të regjistruar në ambientet e paraburgimit, në ditën e arrestimit.
“Çfarë tersi, e dija”, ishte fjalia e regjistruar gjatë një bisede mes Çelës dhe të arrestuarit tjetër, Renaldo Sulaj. Sipas arsyetimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo bisedë dëshmonte se të dy të arrestuarit kishin dijeni për shkakun e ndalimit të tyre.
Megjithatë, përgjimi ambiental nuk ishte i vetmi element i marrë në konsideratë gjatë procesit gjyqësor. Në vendimin e Kushtetueses përmenden edhe 508 telefonata të kryera nga Çela me dy persona të tjerë të përfshirë në grabitjen e vitit 2019.
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi përfundimet e procesit gjyqësor ndaj Çelës.


