Atentati ndaj Behar Sofisë, Gjykata e Lartë vulos vendimin, 127 vite burg për 5 të akuzuarit

Aktualitet

Atentati ndaj Behar Sofisë, Gjykata e Lartë vulos vendimin, 127 vite

Gjykata e Lartë ka vulosur këtë të mërkurë, vendimin për 5 të akuzuarit që morën pjesë në vrasjen e biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur në muajin shkurt të vitit 2021 pranë ‘Piramidës’ në Tiranë.

Xhuljano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leza u dënuan me 30 vite burg secili, ndërsa Ernejt Shyti i cili ishte bashkëpunëtor i drejtësisë, njëherësh ekzekutor, u dënua me 7 vite heqje lirie.

Pesë të akuzuarit kishin ankimuar në Gjykatën e Lartë, vendimin e dhënë nga GJKKO në 2024, por Gjykata ka rrëzuar ankimimin e tyre duke lënë në fuqi dënimin me 127 vite burg për të akuzuarit.

Pesë të pandehurit u shpallën fajtorë për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë, Jemin Shera, i cili sipas hetimeve ka financuar dhe porositur vrasjen e Behar Sofisë, është dënuar me 35 vite burg në mungesë.

66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge”, u ekzekutua mëngjesin 25 shkurtit të vitit 2021 afër Piramidës në Tiranë, ndërsa vrasësi u largua me biçikletë. Autori pasi e ka ndjekur disa metra pranë shtëpisë së tij, i ka dalë para 66-vjeçarit dhe e ka qëlluar. I veshur sportiv, me kapele, syze e maskë anti-COVID pasi ka bërë atentatin ai është larguar dhe ka kaluar në këmbë urën e Lanës. Më pas ai ka marrë një biçikletë pranë kullave dhe është larguar drejt Kodrave të Liqenit.

Në kuadër të hetimeve, u arrestua fillimisht Ernejt Shyti, i cili më pas bashkëpunoi me drejtësinë dhe identifikoi bashkëpunëtorët e tij. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Shyti ka deklaruar se për kryerjen e vrasjes i ishin premtuar 50 mijë euro.

 

ME TE LEXUARAT