Jo vetëm në rrethe/ Zjarret bëjnë kërdinë edhe në Tiranë, 2 helikopterë në 'luftë' me flakët

Aktualitet

Jo vetëm në rrethe/ Zjarret bëjnë kërdinë edhe

Vijon zjarri i përmasave të mëdha në Daias të Tiranës, pranë Lundrës. Zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe në një zonë me bimësi të dendur e shkurre.


Në terren për shuarjen e flakëve mbërritën forcat zjarrfikëse, të ndihmuara edhe nga 2 helikopterë, një Cougar dhe një Black Haëk. Zjarri, i favorizuar edhe nga era e fortë, ka vënë në vështirësi, si dhe ka rrezikuar edhe jetët e forcave zjarrfikëse.


Ndërkohë raportohet se nuk ka probleme për banesat, pasi zona e përfshirë nga flakët është kryesisht me bimësi të dendur dhe shkurre. Pranë zonës ku ka rënë zjarri, janë aktive edhe dy vatra të tjera zjarri, në Dajt e Priskë, të cilat fatmirësisht janë nën kontroll.

Ndërkohë prej dy ditësh digjet masivi me pishë të zezë dhe bredh në Parkun Kombëtar të Lurës, në Dibër. Ky është një nga operacionet me angazhimin më të madh: mbi 220 forca dhe 2 avionë Air Tractor. Era e fortë dhe terreni i thyer e vështirësojnë ndërhyrjen. Shqetësimi është shtuar nga afërsia e flakëve me disa banesa, ndaj zjarrfikësit kanë krijuar perimetrin e sigurisë në fshatin Gurë-Lurë.

Në Drenie të Patosit, zjarri është riaktivizuar dhe po punohet për shuarjen e flakëve. Veç 30 efektivëve, ka shkuar edhe një ambulancë në vendngjarje.

Tre vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në Krujë, në lagjet Abaze dhe Boje, si dhe në vendgrumbullimin e mbeturinave në Kameras.

Ndërsa vatrat në Dajt e Priskë si dhe ato në Nemërçkë e malin Dhëmbel në Përmet s’paraqesin rrezik. Në Dajt janë 22 forca zjarrfikëse mbi tunelet e Qafë-Mollës.

Gjithashtu është izoluar vatra në “Lëndinën e Madhe”, mbi fshatin Sinicë në Devoll, por po mbahet në monitorim për çdo riaktivizim të mundshëm.

Në mbarë vendin janë 10 vatra aktive zjarresh për shuarjen e të cilave janë angazhuar 450 forca operacionale, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”

ME TE LEXUARAT