Mbërrin në Francë kërkesa për ekstradimin e Beqirit, nis aplikimi i masës për bllokimin e pasurive

Kërkesa e Policisë së Shtetit dhe SPAK për ekstradimin e Ermal Beqiri drejt vendit tonë ka mbërritur në Francë të shtunën.
Mediat franceze shkruajnë se për kërkesën e dërguar nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare, do të duhen disa javë deri në riatdhesimin e Beqirit për tu përballur me akuzat e SPAK.
Bashkë me kërkesën për ekstradim, në Francë ka mbërritur dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për sekuestrimin e disa aseteve që dyshohet se janë blerë nga 44-vjeçari Beqiri.
Sipas medieve, Zyra Qendrore për Luftën kundër Krimit të Rëndë Financiar në Francë ka nisur punën për aplikimin e masës së bllokimit të pasurive të Beqirit, sipas kërkesës së SPAK.
Nga hetimet e përbashkëta u evidentua blerja e kësaj kështjelle me vlerë rreth 2.6 milion euro, llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, si dhe disa automjete të përdorura nga Beqiri.
Biznesmeni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me njoftim të kuq të Interpolit që prej 24 dhjetorit të vitit të kaluar pas dyshimeve të SPAK për përfshirje në disa vepra të rënda penale në kuadër të hetimeve që lidhet me tenderat e AKSHI-t.
Arrestimi i tij pak ditë më parë në Francë u bë më 24 korrik duke drejtuar një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar të centralit bërthamor të Penly-t dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it.
Gjykata franceze urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të tij, për qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.
Përmes kompanisë së tij “Soft&Solution” dyshohet se ka përfituar nga AKSHI tendera me vlerë dhjetëra miliona euro që sipas prokurorisë kanë qenë të paracaktuar.
PASURITË E ERMAL BEQIRIT NË FRANCË
Kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro
Llogari bankare me një vlerë mbi 2 milionë euro
Dy apartamente dhe disa automjete


