Me shpejtësi të lartë nën efektin e alkoolit, "Rrugorja" në Gjirokastër vendos 2 mijë gjoba dhe arreston një shofer

Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset e qarkut, për të parandaluar ngjarjet rrugore me pasoja, si dhe për të menaxhuar trafikun, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve gjatë sezonit veror në Gjirokastër.
Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore të Gjirokastrës, Komisar Artan Tarka, gjatë një deklarate, theksoi se ndër fokuset e punës së Policisë Rrugore të Gjirokastrës janë evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve që drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara dhe kalojnë limitin e shpejtësisë, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore.
Si rezultat i monitorimit, gjatë periudhës 23 korrik – 31 korrik 2026, është arrestuar 1 drejtues mjeti dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë pezulluar 3 leje drejtimi.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 2198 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:
834 masa për parakalime të gabuara;
663 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
460 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar;
14 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
7 masa për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit;
4 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
216 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Policia Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë rrugore.


