"Ndalohet rreptësisht", ministrja jep këtë urdhër të prerë drejtorëve për nisjen e vitit të ri shkollor

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e 200 shkollave në Tiranë, duke përcaktuar disa nga prioritetet për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Siguria në ambientet e shkollave, respektimi i etikës nga stafet pedagogjike dhe roli i punonjësve socialë ishin ndër çështjet kryesore të diskutuara. Një tjetër fokus ishte ndalimi i përdorimit të telefonave celularë, rregull që ministrja tha se do të zbatohet me më shumë rigorozitet, duke nisur nga vetë mësuesit.
Kumbaro u ndal edhe te Kodi i Etikës, i miratuar një vit më parë për mësuesit, oficerët e sigurisë dhe punonjësit e shërbimit psikosocial. Sipas saj, zbatimi i këtij kodi nuk lidhet vetëm me paraqitjen, por veçanërisht me mënyrën e komunikimit në mjediset shkollore.
Ministrja theksoi gjithashtu se dita e parë e shkollës do të ketë një tjetër qasje. Për herë të parë, përmes udhëzimit të ri për vitin shkollor, ajo do të shërbejë si një ditë njohjeje dhe prezantimi me shkollën, mësuesit, tekstet dhe bashkëmoshatarët.
Pjesë e masave për rritjen e sigurisë janë edhe kamerat inteligjente, të vendosura në 20 shkolla në Tiranë dhe Kamzë.
Sipas ministres, këto pajisje kanë mundësi të identifikojnë automatikisht situata apo elementë që mund të përbëjnë rrezik. Sistemi mund të detektojë, ndër të tjera, tymin e cigares, objekte të kategorizuara si të rrezikshme, si doreza, armë apo thika, si dhe fytyra të personave të raportuar si me rrezikshmëri.


