“Nuk më kishte thënë asgjë”/ E bija u ekzekutua nga i dashuri shqiptar, flet nëna e 45-vjeçares: Si e mora vesh lajmin

“Nuk di asgjë, ajo nuk më kishte thënë asgjë.” Janë këto fjalët e nënës së 45-vjeçares shqiptare, e cila u ekzekutua mëngjesin e së dielës në Nea Smyrni të Athinës nga një 48-vjeçar, i cili më pas vrau veten.
E moshuara tregoi se e mësoi lajmin tragjik për vrasjen e vajzës së saj përmes një telefonate paniku nga vajza tjetër. Me zërin që i dridhej, ajo u shpreh se viktima nuk i kishte treguar kurrë për ndonjë lidhje romantike apo probleme me autorin, ndërsa shtoi se ajo dhe ish-bashkëshorti i saj ishin ndarë shumë kohë më parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 05:30 të mëngjesit jashtë pallatit ku 45-vjeçarja jetonte së bashku me vajzën e saj 16-vjeçare. Autori 48-vjeçar, gjithashtu shqiptar, i kishte ngritur një pritë të mirëmenduar duke e pritur në automjetin e tij. Sapo viktima ka dalë nga ndërtesa, ai i është afruar dhe e ka qëlluar për vdekje me armë, para se të drejtonte armën nga vetja dhe të qëllonte në kokë.
Banorët e zonës dëgjuan tre të shtëna të forta brenda pak sekondash, të cilat u pasuan nga mbërritja e menjëhershme e forcave të policisë.
Ndërkohë, Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar ka marrë çështjen në dorë për të zbardhur motivet e krimit dhe për të kuptuar natyrën e saktë të marrëdhënies mes tyre, pasi nuk rezulton të kenë qenë të martuar. Autoritetet po ekzaminojnë gjithashtu profilin e autorit në rrjetet sociale, ku ai kishte postuar fotografi duke pozuar me armë zjarri.


