Pije freskuese kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, arrestohet 38-vjeçari në Dibër

Aktualitet

Pije freskuese kontrabandë nga Maqedonia e Veriut, arrestohet
Policia e Dibrës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Dërgesa”, duke goditur një rast të kontrabandës së mallrave të dyshuara se janë futur ilegalisht nga Maqedonia e Veriut. Si rezultat i operacionit është arrestuar një 38-vjeçar, ndërsa vëllai i tij është shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë proceduar penalisht tre punonjës të doganës në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Benz”, të ndaluar në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, efektivët e policisë konstatuan 762 koli me pije freskuese pa dokumentacion shoqërues. Kontrollet vijuan më pas në banesën e të dyshuarit dhe në një automjet tjetër tip “Volkswagen”, ku u gjetën edhe 1296 koli të tjera me pije freskuese, si dhe 638 kuti me produkte ushqimore, kryesisht salcë.

Pas veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E.H., 38 vjeç, banues në fshatin Pocest të Maqellarës, i dyshuar për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.

Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim vëllain e tij, shtetasin L.H., i cili dyshohet se është i përfshirë në të njëjtën veprimtari të paligjshme.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë kontrabande.

ME TE LEXUARAT