“Të mbrojmë identitetin”/ Pas Poliçanit, thirrje për protestë edhe në Maliq! Qytetarët kundër Reformës Territoriale

Pas protestës së zhvilluar në Poliçan, kundërshtimet ndaj Reformës Territoriale po shtrihen edhe në qytete të tjera të vendit.

Qytetarët e Maliqit kanë bërë thirrje për protestë, duke kundërshtuar mundësinë e shkrirjes së Bashkisë Maliq në kuadër të hartës së re administrative.
Përmes një njoftimi publik, banorët kanë ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës që do të zhvillohet të dielën, në orën 19:00, përpara Bashkisë Maliq.
“Jo shkrirjes së Bashkisë Maliq! Mbrojmë historinë, identitetin dhe të ardhmen e qytetit tonë. Zëri i çdo qytetari ka rëndësi. Bashkohu! Për Maliqin tonë, për të ardhmen tonë!”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.
Banorët shprehen se do të protestojnë për të mbrojtur identitetin dhe të ardhmen e qytetit. Protesta në Maliq vjen në një kohë ku sipas hartës administrative të propozuar nga PS, parashikohet shkrirja e 15 bashkive.


