Rama në Berlin: Jam piktori më i madh mes kryeministrash, një “dimër demografik” po kërcënon Evropën

Aktualitet

Rama në Berlin: Jam piktori më i madh mes kryeministrash, një

Kryeministri Edi Rama i ftuar në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një platformë e sipërmarrjes gjermane, që mbledh ekspertë të sigurisë, ekonomisë e inovacionit, si edhe përfaqësues të Bundestagut, Kancelarisë e trupit diplomatik.

Në fjalimin e mbajtur Rama tha se lufta është rikthyer në Evropë dhe konkurrenca strategjike është bërë globale, ndërsa teknologjia po transformon jo vetëm ekonomitë dhe sistemet politike, por edhe mënyrën se si shoqëritë lidhen me njëra-tjetrën.

Ai nënvizoi gjithashtu se rënia demografike po riformëson rajone të tëra, ndërsa një “dimër demografik” po kërcënon të ardhmen e afërt të Evropës.

“Jam piktori më i madh mes kryeministrash. Ballkani perëndimor është një rajon i tërë i rrethuar nga Bashkimi Evropian, fizikisht i dizajnuar në zëmër të Evropës, por i përjashtuar nga portreti i Evropës”, tha Rama mes të tjerash në fjalën e tij.

Kryeministri gjithashtu rikonfirmoi objektivin e Shqipërisë për integrimin europian, duke deklaruar se vendi po avancon me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Ne jemi duke ecur shpejt drejt integrimit në BE. Ne duam që të bëhemi pjesë e BE-së përpara se të mbarojë kjo dekadë. Ne po bëjmë transformimin më të madh në historinë tonë”, tha ai.

Sipas Ramës, procesi i reformave dhe modernizimit të vendit është i lidhur ngushtë me perspektivën europiane, ndërsa Shqipëria synon të përmbushë të gjitha standardet e nevojshme për t’u bërë anëtare e plotë e Bashkimi Europian brenda viteve të ardhshme./ Pamfleti

ME TE LEXUARAT