"Range Roveri merr flakë", dy aksidente në autostradën Lushnje–Fier, 6 të lënduar
Dy aksidente kanë ndodhur në vetëm pak minuta distancë nga njëri-tjetri në autostradën Lushnje–Fier, duke lënë drejtues mjetesh të lënduar dhe shkaktuar dëme materiale.
Policia tha se në bypass-in e Lushnjës, një automjet tip Range Rover me targa AV 674 IB është përplasur me barrierën anësore të hekurt dhe më pas ka marrë flakë.
Zjarrfikësit dhe shërbimet e ambulancës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke transportuar dy persona të lënduar në spital.
Sipas spitalit, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e qarkullimit ka ndërhyrë për disiplinimin e trafikut dhe kryerjen e procedurave të nevojshme.
Aksidenti i dytë ka ndodhur pranë rrethrrotullimit të Kolonjës, ku tre automjete u përplasën në seri. Për pasojë, katër persona janë dërguar në spitalin e Lushnjës për ekzaminime mjekësore, ndërsa raportohet për dëme të shumta materiale.
Nga hetimet paraprake dyshohet se një nga mjetet nuk ka mundur të frenojë në kohë për shkak të lagështirës në rrugë, duke përplasur automjetin para tij, ndërkohë që është goditur edhe nga një tjetër mjet pas tij.
Policia Rrugore po punon në terren për të normalizuar trafikun dhe për të dokumentuar rrethanat e aksidentit.