Sa më e shtrenjtë shtëpia, më e lartë taksa! Projektligji i qeverisë: Kush ka 2 ose më shumë banesa paguan...

Aktualitet

Sa më e shtrenjtë shtëpia, më e lartë taksa!

Qeveria planifikon të mbledhë deri në 280 milionë euro në vit vetëm nga taksa e pronës, trefish më shumë sesa u mblodhën përgjatë 2025-ës nga taksa e pasurisë së paluajtshme, prej 85 milionë euro. Kjo do të arrihet përmes reformës së re të taksës së pronës, e cila pritet të sjellë një sërë risish, nga taksimi mbi vlerën e tregut dhe jo më mbi referencat e deri tek rritja e taksës që do të paguhet.

Përmes projektligjit të hedhur në Konsultim Publik ‘Për Taksën e Pasurive Të Paluajtshme’, synohet që taksimi i banesave të bëhet mbi bazën e çmimeve të tregut, dhe jo mbi referencat, pasi bashkitë çdo vit do të nxjerrin vlerat e reja të pronave. Sa më e shtrenjtë të jetë prona aq më e lartë do të jetë edhe taksa që do të paguhet.

“Vlerat që përdoren për taksimin e pasurive të paluajtshme nuk përditësohen sipas një cikli të rregullt dhe nuk pasqyrojnë vlerat e tregut, duke sjellë humbje të ardhurash”, thuhet në relacion, ndaj është parashikuar që bashkitë çdo vit të caktojnë vlerat e reja të pasurive të patundshme mbi të cilat do të aplikohet taksa.

Mbi çmimet e banesave që do të caktojnë bashkitë do të mbahet edhe taksa nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës së pronës, nga 0.05% që është aktualisht. Por para se të taksohet banesa, qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë një zbritje nga vlera e pronës por jo më shumë se 50% të vlerës së saj.

Pra për një banesë me vlerë 100,000 euro, mund të ulet vlera me 50% dhe për pjesën tjetër prej 50 mijë eurosh të paguhet tarifa vjetore nga 50-100 euro, në varësi të normës tatimore që do të përcaktohet nga bashkia. (Zbritja e vlerës së pronës do të bëhet deri 50% por jo më shumë se tavanet e caktuara për 7 kategorizimet që i janë bërë bashkive.)

Sa më e shtrenjtë shtëpia, më e lartë taksa!

Për ata që kanë dy ose më shumë banesa në pronësi, zbritje nga vlera e pasurisë do të marrin vetëm tek banesa e parë, ndërsa tek të tjerat do paguajnë për aq sa vlen banesa. Pra për banesën e dytë po 100 mijë euro do paguajnë 100-200 euro taksë vjetore. Pra tatimi do të jetë automatikisht dyfish më i lartë kush ka mbi 1 banesë.

Sipas argumenteve të dhëna në relacion rritja e taksimit si për shtëpitë e para por edhe më shumë për ata që kanë në pronësi 2 ose më shumë banesa do t’i vë fre edhe spekulimeve me çmimet e pronave, pasi sa më i lartë çmimi më i lartë tatimi.

ME TE LEXUARAT