“Shteti në gjumë”/ Flet eksperti: Po tjetërsohen pronat publike, zonat e mbrojtura me pronar privat

Aktualitet

“Shteti në gjumë”/ Flet eksperti: Po tjetërsohen

Nga Ksamili deri në Vermosh, sipërfaqe të jashtëzakonshme të natyrës po kalojnë nga pronësia publike në atë private, shpeshherë në një proces tërësisht të errët për qytetarët.

I ftuar në nje studio televizive, eksperti i mjedisit, Abdullah Diku thotë se shteti ka lejuar kalimin e qindra hektarëve tokë në duar të privatëve, pa informuar komunitetet lokale dhe pa respektuar rregulloret e zonave të mbrojtura.

Rasti më i fundit është ai i Pishë Poro-Nartës, ku sipërfaqe gjigante toke u zbuluan papritur si prona private, theksoi Diku, duke lënë të habitur edhe vetë banorët që i kanë përdorur këto hapësira tradicionalisht prej dekadash.

Sipas ekspertit, situata bëhet edhe më alarmante për shkak të mbivendosjes së pronësive, pasi për të njëjtën sipërfaqe ekzistojnë pretendime të trefishta: nga përdoruesit tradicionalë, nga ata që posedojnë dokumentet e ligjit 7501, si dhe nga të pajisurit me certifikata të reja pronësie.

Janë disa gjëra krejt bazike. Pra mungesa e transparencës, ajo që ka çuar në këtë situatë… papritur e pandehur ne gdhihemi me një zonë të mbrojtur ku sipërfaqja e tokave private është jashtëzakonisht e madhe, e papërmendur ndonjëherë. Një precedent i cili ne nuk dimë se në çfarë shkalle dhe çfarë përmase është shtrirë në zonat e tjera të mbrojtura të vendit kryesisht, por dhe në bregdet sepse të gjithë e dimë që ka qenë, vendimi ynë duhet të ishte pronë publike.

Por shohim që ndër vite është shkaktuar një tjetërsim i madh i pronave nga publike në private në mënyrë aspak transparente. Ndërkohë që ne kemi komunitete të tëra nga Ksamili deri në Vermosh që pretendojnë apo kanë përdorur në mënyrë tradicionale sipërfaqe të caktuara toke siç janë kullotat, bregdeti e të tjerë.

Por ndërkohë që dikush pretendon, dikush tjetër mund të ketë ato letrat e ligjit të famshëm 7501, e dikush tjetër ka certifikatat e pronësisë. Pra ka një mbivendosje ku minimalisht janë tre palë. Dhe që nuk dihet se kush është pronari real. Kështu që ajo që do të ishte e udhës, do të ishte që qeveria së pari të qartësonte se si ka ndodhur ky tjetërsim kaq masiv, kaq pa transparencë dhe si ka mundësi që shteti ka heshtur gjatë gjithë kësaj kohe.

Për më tepër kur bëhet fjalë për një zonë shumë të ndjeshme natyrore siç është në rastin konkret për shembull, Pishë Poro-Narta. Kështu që kjo ka qenë baza e kësaj gjëje që nuk ka pasur aspak transparencë dhe që një ditë qeveria thotë që kjo është private. Ndërkohë që askush nuk e di si është bërë private kjo gjë. Madje edhe përdoruesit, banorët atje të përditshëm që i kanë përdorur këto toka, janë surprizuar nga kjo fjalë që dikush tjetër qenka pronari i tokave që ato kanë 30 a sa vite që i punojnë apo i përdorin.

Patjetër sepse është aset publik. Pra, dakord që mundet ish-pronarët të jenë shpërblyer apo të jenë kompensuar si tokë, por kjo gjë duhet të bëhet e njohur. Pra, cili ka qenë procesi që ka ecur dhe përse vetë shteti ka heshtur në këtë rrugë? Pra përse shteti i ka anashkaluar si të thuash komunitetet lokale që janë pjesë apo përdorues tradicional të këtyre territoreve t’i njoftojë në kohë. Për më tepër thashë këtu kemi të bëjmë me një zonë të mbrojtur. Si ka mundësi, me çfarë guximi shteti e ka përfshirë në zonë të mbrojtur duke qenë se ka qenë territor privat në një sipërfaqe kaq të madhe.

Pra nuk bëhet fjalë për njolla të vogla brenda zonës së mbrojtur, por bëhet fjalë për qindra hektarë, gjë që është një pjesë e rëndësishme e ekosistemit atje. Kështu që, prandaj është shqetësimi. E dyta, duke qenë se ky është territor brenda zonës së mbrojtur, me ligjin e zonave të mbrojtura që ne kemi, shteti ka dy opsione, edhe privati ka gjithashtu dy opsione. Sepse janë dy palë, shteti dhe privati.

Së pari, përdoruesit privat apo zotëruesit privat, pronarët privat të këtyre tokave, kanë të drejtë ta menaxhojnë a ta përdorin dhe të përfitojnë nga kjo tokë, bazuar mbi rregullat e mbrojtjes së natyrës, mbi planin e menaxhimit, mbi ligjin për zonat e mbrojtura. Ose nëse kjo gjë nuk ju pëlqen, kanë të drejtë të kërkojnë tek qeveria kompensim ose në vlerë financiare ose në sipërfaqe toke ekuivalente dhe kjo zgjidhet me marrëveshje, me negociata.

Asnjëra nga këto dy nenet që janë shumë të rëndësishme për ligjin e zonave të mbrojtura, neni 53 dhe 54 nuk thuhet çfarë është bërë. Pra, dakord se po e pranojmë se kjo ka qenë tokë private, por qeveria a e ka ezauruar si të thuash gjithë ligjin e vitit 2017 për zonat e mbrojtura, apo u vu edhe qeveria para faktit të kryer që kjo është tokë private dhe tani të bëhet çfarë të bëhet. Pavarësisht se është tokë private, shteti ka rol menaxhues dhe kontrollues dhe duhet të mbrojë interesin publik në të gjitha rastet.

Nuk mund të vihet para faktit të kryer siç mund të vihet një banor, një njeri, një aktivist, një organizatë, që nuk ka asnjë lloj informacioni, nuk ka asnjë lloj pushteti mbi zbatimin e ligjit si të thuash, përveçse të kërkojë informacion. Shiko, gjërat fillojnë nga toka. Pra, së pari kryeministri të na sqarojë se si ka ndodhur ky tjetërsim masiv i tokës nga tokë publike që u bë në tokë private gjatë gjithë këtyre viteve.

Nuk ka rëndësi nëse ka ndodhur para 1 viti apo para 25 vitesh. Por të sqarohet procedura. E dyta, nëse është një tokë me konflikt pronësie, ne i bie që taksapaguesit të paguajnë dyfish. Pra, një herë të paguajmë si të thuash të heqim nga inventari i tokave një sasi toke jashtëzakonisht të madhe. Së dyti nëse pronari si të thuash de fakto në këtë konflikt gjyqësor siç thuhet që ekziston, është një komunitet apo një grup i caktuar banorësh, atëherë shteti do t’ua kompensojë po me lekët e taksapaguesve.

Kështu që është barrë e dyfishtë për ne, për konsumatorët, për taksapaguesit e Shqipërisë. Kështu që pse ta fillojë atë qartësimin pikërisht nga kjo. Pra, pse ka fjetur gjumë shteti, në një proces tjetërsimi masiv të tokave, sepse nuk është vetëm këtu tashmë, po flitet për zona të tjera, po flitet për zonën e Pishë Poros, po flitet për Velipojën.

ME TE LEXUARAT