Vrasja në Korçë, autori e viktima u përfshinë në konflikt, 20-vjeçarit i gjendet thika në dorë...

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 14 të Korçës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 20-vjeçari Johan Zuko.
Viktima dhe autori i dyshuar janë përfshirë në një konflikt pak para ngjarjes. TCH, raporton se Zuko dyshohet se ka pasur me vete edhe një thikë.

Thika është gjetur në dorën e viktimës pas ngjarjes dhe është sekuestruar nga grupi hetimor si provë materiale.
Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe vijon të jetë në arrati.
Policia ka nisur kërkimet për kapjen e tij, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar dinamikën e konfliktit dhe për të zbardhur rrethanat e plota të vrasjes.
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.


