Alarm në Japoni: Tërmeti i fortë shkund vendin — dhjetëra të plagosur, ja sa ishte magnituda

Një tërmet me magnitudë paraprake 5.9 ballë ka goditur Japoninë lindore në orët e para të së dielës, duke plagosur 37 persona dhe duke shkaktuar lëkundje edhe në zonën e Tokios.
Autoritetet nuk kanë lëshuar paralajmërim për cunami. Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, tërmeti u regjistrua në prefekturën jugore të Ibarakit, në një thellësi prej rreth 70 kilometrash. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara e vlerësoi magnitudën paraprake në 5.8.

Lëkundjet aktivizuan alarmet e emergjencës në telefonat celularë në zonën e Tokios. Mediat japoneze raportuan gjithashtu për një tubacion uji nëntokësor që u dëmtua në lagjen Koto të kryeqytetit, duke shkaktuar rrjedhje uji në rrugë.
Rreth 460 banesa në Tokio mbetën pa energji elektrike, sipas operatorit TEPCO Power Grid. Qeveria japoneze ka ngritur një grup pune për të vlerësuar dëmet e mundshme dhe për të monitoruar situatën.
Autoriteti japonez i Rregullimit Bërthamor deklaroi se nuk kishte raportime për probleme në rreth një duzinë centralesh bërthamore dhe objektesh që përdorin materiale bërthamore.
Tërmeti vjen vetëm pak javë pas një tjetër lëkundjeje të fortë në Japoni. Muajin e kaluar, një tërmet me magnitudë 7.1 goditi zonën e Kumamotos në ishullin Kyushu, duke shkaktuar 38 viktima, 364 të plagosur dhe dëme të mëdha në mijëra ndërtesa.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në Japoninë lindore, ndërsa deri tani nuk është raportuar për një rrezik cunami.


