Londra shqyrton forcimin e sanksioneve kundër Rusisë

Mbretëria e Bashkuar po shqyrton “rritjen e sanksioneve” kundër Rusisë pas përfundimeve të pesë shteteve evropiane se lideri i opozitës ruse, Alexei Navalny, është vrarë me një toksinë vdekjeprurëse në një burg rus, deklaroi të dielën ministrja britanike e Jashtme, Yvette Cooper.
“Ne vazhdojmë të shqyrtojmë veprime të koordinuara, përfshirë forcimin e sanksioneve kundër regjimit rus”, tha Coope gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Holanda dhe Suedia njoftuan se shteti rus është i dyshuari kryesor në helmimin e opozitarit dy vite më parë.
Alexei Navalny, kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, vdiq në një burg rus në rrethana misterioze më 16 shkurt 2024, ndërsa vuante një dënim prej 19 vitesh.
Të shtunën, këto pesë vende evropiane deklaruan se një toksinë vdekjeprurëse e njohur si epibatidine, e pranishme në lëkurën e bretkosave helmatisëse të Ekuadorit, ishte zbuluar gjatë analizave laboratorike të mostrave të marra nga trupi i tij.
Cooper tha për Sky News se toksina mund të prodhohet edhe në mënyrë sintetike. “Ne e dimë se regjimi rus ka pasur më parë në zotërim këtë substancë kimike të veçantë”, u shpreh ajo.
“Rusia ka pretenduar se Navalny ka vdekur nga shkaqe natyrore. Por duke pasur parasysh toksicitetin e epibatidines dhe simptomat e raportuara, është shumë e mundshme që helmimi të ketë qenë shkaku i vdekjes së tij”, deklaruan të shtunën vendet evropiane në një komunikatë të përbashkët.
“Navalny vdiq ndërsa mbahej në burg, çka do të thotë se Rusia kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për t’ia administruar këtë helm”, shtuan ato.
“Ne e mbajmë (Rusinë) përgjegjëse për vdekjen e tij”, deklaroi veçmas Ministria e Jashtme britanike.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, përshëndeti “guximin përballë tiranisë” të Alexei Navalnyt në një mesazh në rrjetet sociale, duke denoncuar “qëllimin vrasës të Putinit”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse dhe ambasada e Rusisë në Londër hodhën poshtë raportin perëndimor.
Kremlini nuk ka dhënë kurrë një shpjegim të plotë për vdekjen e Alexei Navalnyt, pak para një zgjedhjeje presidenciale në Rusi, duke u mjaftuar me deklarimin se ai ishte sëmurur dhe kishte ndërruar jetë papritur pas një shëtitjeje në koloninë penale ku mbahej. /ORA


