Përmbytje masive në Rusi/ 2 të vdekur dhe mijëra të evakuar

Dy persona kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre si pasojë e përmbytjeve të rënda që goditën Dagestan në Rusi, pas shirave të rrëmbyeshëm.
Sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes Civile, një grua dhe vajza e saj humbën jetën pasi shpërtheu një digë, duke shkaktuar përmbytje masive.
Rreth 4,000 persona janë evakuuar nga zonat më të prekura. Më shumë se 2,000 shtëpi janë përmbytur në rajonin e Derbentit pranë Detit Kaspik, ndërsa fati i disa banorëve të tjerë mbetet ende i paqartë.
Edhe kryeqyteti Makhachkala është goditur rëndë, me komplekse banimi në rrezik shembjeje. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesa të zhytura në ujë dhe dëme të mëdha në infrastrukturë, përfshirë shembjen e një ure strategjike në autostradën Kavkaz.
Autoritetet kanë ngritur strehimore emergjente dhe kanë angazhuar helikopterë për operacionet e shpëtimit.
Parashikohet përkeqësim i situatës, me reshje të tjera dhe erëra që mund të arrijnë mbi 120 km/orë, si dhe rrezik për rrëshqitje dheu.
Shirat intensivë kanë prekur rajonin e Kaukazit të Veriut që nga fundi i marsit, duke shkaktuar përmbytje edhe në nënstacionet e energjisë dhe ndërprerje të furnizimit me rrymë në rreth 20 zona.


