Ukraina rifiton kontrollin e zonave në juglindje dhe lindje

Ushtria ukrainase ka arritur përparime të reja në vijën e frontit, duke rimarrë qindra kilometra katrorë territor gjatë javëve të fundit, në një moment kyç të konfliktit me Rusinë.
Lajmi është bërë i ditur nga komandanti i përgjithshëm i forcave ukrainase, Oleksandr Syrskyi, i cili theksoi se operacionet janë përqendruar kryesisht në lindje dhe juglindje të vendit.
Sipas tij, disa vendbanime janë rikthyer nën kontrollin e Kievit, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionet mbrojtëse dhe duke forcuar linjat e frontit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, situata mbetet e tensionuar pasi forcat ruse vijojnë përgatitjet për një ofensivë të re pranverore.
Syrskyi paralajmëroi se Moska nuk ka hequr dorë nga synimet e saj territoriale dhe po riorganizon trupat dhe mjetet ushtarake për sulme të mëtejshme.
Objektivi i Rusisë, sipas tij, mbetet zgjerimi i kontrollit në territorin ukrainas dhe krijimi i një zone sigurie në rajonet kufitare.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar së fundmi se situata në front është stabilizuar krahasuar me muajt e kaluar, duke e cilësuar si periudhën më të favorshme që nga mesi i vitit të shkuar.
Analistët ushtarakë vlerësojnë se përparimet e Ukrainës janë të rëndësishme, por paralajmërojnë se ofensiva ruse mund të intensifikojë luftimet në javët në vijim, duke e bërë situatën në terren të paparashikueshme dhe të rrezikshme për të dyja palët.


