Venezuela nxjerr në rrugë tanket, Rubio: S’do ketë më sulme, Maduro në paraburgim

Bota

Venezuela nxjerr në rrugë tanket, Rubio: S’do ketë më

Pas sulmeve të orëve të para të ditës së sotme, Venezuela ka dislokuar ushtrinë e në rrjet, kanë qarkulluar pamje të tankeve nëpër rrugë.

Megjithatë, nuk dihet sesa i organizuar do të jetë reagimi i vendit të mbetur tashmë pa liderin e tij, Nicolas Maduro. Ministri i mbrojtjes, Vladimir Padrino, deklaroi vetëm se forcat e armatosura janë në gjendje gatishmërie të plotë për një “mbrojtje integrale të kombit”.

“Populli venezuelian ka qenë shënjestra e agresionit më kriminal nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë ngjarje, ne tashmë po marrim parasysh të plagosurit dhe të vdekurit“, ishte komenti i tij.

Kryeqyteti Karakas u trondit nga shpërthime të fuqishme, teksa media ndërkombëtare raportuan praninë e avionëve luftarakë që fluturonin ulët. Wall Street Journal foli edhe për helikopterë të ushtrisë. Zyrtarë amerikanë i thanë CBS se ishte presidenti Donald Trump që urdhëroi sulmet ndaj Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake. Sipas informacioneve të para, objektivat e goditura dyshohet se kanë qenë baza ushtarake, veçanërisht kazermat më të rëndësishme të vendit, Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota. Kreu i shtetit kolumbian Gustavo Petro ishte ndër të parët që shkroi në platformën X: “Po bombardojnë Karakasin. Lajmëroni të gjithë botën, Venezuela është sulmuar. Po bombardojnë me raketa”.

Ndryshe e sheh situatën zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau,i cili tha se Venezuela po përjeton një “agim të ri” pas sulmeve amerikane.

“Tirani u largua. Më në fund, tani ai do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, shkroi Landau në X. Senatori Mike Lee tha se u njoftua nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, se Maduro do të gjykohet në Shtetet e Bashkuara për vepra penale, ndërsa shtoi se Ruboi nuk ka parashikuar sulme të mëtejshme në Venezuelë, tani që Maduro ndodhet në paraburgim amerikan.

Prej javësh tensionet mes qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Venezuelës janë shumë të larta, ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar kohët e fundit mjete lundruese që dyshohet se përdoren nga trafikantë droge.

Të premten, Venezuela deklaroi se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Megjithatë, Maduro u shpreh në një intervistë të regjistruar më herët dhe transmetuar të enjten se SHBA-ja kërkon një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe synon qasje te rezervat e saj të mëdha të naftës.

 

ME TE LEXUARAT