Vuçiç merr vendimin, vendos të kandidojë për kryeministër në tetor

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas qeverisjes së tij 12-vjeçare, tha se do të kandidojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e 25 tetorit, ndërsa mijëra mbështetës të opozitës u mblodhën të hënën në Beograd.
Vuçiçi është përballur prej gati dy vitesh me protesta kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët, nisur nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor, e cila shkaktoi vdekjen e 16 personave në qytetin e Novi Sadit në nëntor 2024.
Të hënën në mbrëmje, mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit për të mbështetur kandidatët parlamentarë të lëvizjes “Studentët Fitojnë”, lëvizja kryesore opozitare. Kandidatët dorëzuan firmat e certifikuara të mbështetësve të tyre, që përbën hapin fillestar për t’u përfshirë në fletën e votimit.
Vuçiçi, i cili në qershor tha se do të jepte dorëheqjen, por nuk përcaktoi një datë, shpalli zgjedhjet e parakohshme për 25 tetor.
“Dëshiroj t’ju informoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen si president”, u shpreh ai asokohe. “Atë mbrëmje do t’i drejtohem kombit dhe do t’i falënderoj njerëzit për mbështetjen e tyre.”
Disa parti opozitare, përfshirë Partinë Demokratike dhe lëvizjen “Kreni Promeni” (“Nis Ndryshimin”), janë zotuar të mbështesin lëvizjen studentore dhe nuk do të paraqesin kandidatët e tyre.
Në protestë, studentët mbanin flamuj serbë dhe brohorisnin: “Studentët Fitojnë.”
“Ne, si studentë, duam ta rivendosim sistemin dhe të fillojmë gjithçka nga e para, në mënyrë që institucionet të mund të kryejnë detyrat e tyre”, tha studenti Stefan Lukiç, i cili mori pjesë në aktivitet.
Studentët dhe partitë opozitare akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për korrupsion dhe për kontrollin e mediave, akuza që ata i mohojnë.


