Behgjet Pacolli kishte dijeni për planin e vrasjes së Liridona Ademajt?! Dëshmia e autorit: Naim Murseli më tha...

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, në sesionin e pasditës po jep mbrojtjen i akuzuari Plava, i cili tha se vrasja ishte kryer në marrëveshje me Murselin, i cili i kishte premtuar se do ta nxjerrtë nga burgu pas dy vitesh, me pretendimin se është person që ka pushtet.
Plava tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe se sot do ta thotë të vërtetën.
“Atë deklaratë që e kam dhënë ka qenë nën presion të policisë”, tha Plava, duke shtuar se deklaroi sipas marrëveshjes që kishte me Murselin, dhe kishte njoftuar ambulancën dhe i kishin dhënë një injeksion.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Skender Gojani, i akuzuari Plava tha se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe se ka qenë në dijeni për veprën për të cilën sot po akuzohet.
“Asnjëherë nuk më ka tregu kush është personi (që do ta vriste), edhe m’ka thanë veç ki me marrë përgjegjësi ti, kurgjë tjetër. Unë pa u ba dy vjet të nxjerri prej burgu, e di çfarë pushteti kam”, tha Plava.
Sipas tij, Murseli i ka thënë se për këtë rast ka qenë në dijeni edhe Behgjet Pacolli, raportojnë mediat e Kosovës.
“Me fjalë të Naimit qysh m’ka thanë Naimi, m’ka thanë që edhe Behgjet Pacolli për këtë rast ka qenë në dijeni, ti e di çfarë pushteti kemi na, më ka thanë. Nuk ka shansa me nejt në burg ma shumë se dy vjet”, u shpreh Plava.
Ai pretendon se Murseli i ka ofruar punë, pagë 1300 euro, një veturë G-Classs. Tha se kur e ka pyetur se kë do ta vriste, Naimi i kishte thënë se nuk ka nevojë ta dijë vetëm të marrë përgjegjësinë.
Më tej, Plava thotë se deklaratën në Polici e kishte dhënë ashtu sikurse ishte marrë vesh me Naim Murselin. Dy të akuzuarit e tjerë ai tha se i njeh, Kokallën për shkak se janë nga i njëjti fshat, kurse Murselin e njeh më pak. I akuzuari thotë se me Naim Murselin është takuar 7-8 herë dhe se ditën kritike janë takuar pikërisht për këtë marrëveshje. Sipas tij, të nesërmen e kishte kuptuar që personi që e vrau ka qenë gruaja e Naim Murselit.
“Më vjen keq për atë ditë çka ka ndodh. Gjithmonë ka thënë se është ja serbe ja boshnjake, veç ti ki me marrë përgjegjësinë”, u shpreh ai.
Fillimisht, Plava tha se ka gjendje të dobët ekonomike dhe se ka qenë punëtor krahu./Shqip


