“Dëgjonim britmat deri në mesnatë: Rasti tronditës i dhunimit të 5-vjeçarit, keqtrajtoheshin edhe 6 fëmijë të tjerë

Kosovë&Rajon

“Dëgjonim britmat deri në mesnatë: Rasti tronditës i

Me lëndime të rënda trupore, i kequshqyer dhe me vështirësi në komunikim, një fëmijë pesëvjeçar është pranuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë në Prishtinë.

Për gjendjen e rënduar të të miturit, dyshohet se prindërit e tij janë shkaktarët. Nga burime jozyrtare, mësohet se dëmtimet në këmbë, fëmijës ia ka shkaktuar e ëma, që krahas kësaj e ka mbajtur edhe në kushte të rënda.

Për shkak të dyshimeve që pesëvjeçari vuan nga gangrena në shputa, të mërkurën i është nënshtruar intervenimit kirurgjik. Shërbimi Spitalor i Kosovës, ka njoftuar se pas operimit, fëmija është në gjendje stabile shëndetësore.

Top Channel ka biseduar me familjarët e pesëvjeçarit, që në kushte anonimiteti kanë treguar se të hënën kanë vizituar familjen dhe e kanë gjetur fëmijën në gjendje të mjerueshme dhe e kanë nisur fillimisht për trajtim në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Për rastin është njoftuar edhe Qendra për Punë Sociale në këtë komunë, që thanë se është vepruar në kohën e duhur e janë informuar të gjitha institucionet relevante.

Për këtë, të martën dy prindërit u ndaluan nga policia e të mërkurën gjykata u caktoi paraburgim prej një muaji nën dyshimin për veprat penale të shkeljes së detyrimit familjar dhe lëndimit të rëndë trupor.

Çifti janë prindër edhe të gjashtë fëmijëve të tjerë që dyshohet se janë keqtrajtuar po ashtu.

Në kushte të vështira jetonin shtatë fëmijët e dy prindërve që u arrestuan nën dyshimet për keqtrajtim të fëmijës së tyre pesëvjeçar. Pas arrestimit të shtatë fëmijët janë nën kujdes shtetëror. Megjithatë, nuk është hera e parë që përballen me këtë situatë.

Rreth katër vjet më parë fëmijët ishin larguar nga kujdesi prindëror, por me një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës – Dega në Lipjan, të njëjtët ishin kthyer në kujdesin e dy prindërve.

Së fundmi fëmijët janë privuar nga ndjekja e mësimit. Për këtë kanë folur edhe komshinjtë që kanë parë fëmijët e kanë dëgjuar bërtitma e tyre kohë pas kohe.

“I ka rrahur, gjithmonë i ka rrahur, deri në 12 të natës kanë bërtitë, janë ndjerë zërat. Gjithë, unë i kam dëgjuar, më ka ardhë gjynah se ata nuk kanë faj fëmija, kur janë këta të sëmurë. Asnjëri s’janë mirë”.

Në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan kanë konfirmuar që edhe ky institucion ka rekomanduar kthimin e fëmijëve nën kujdesin prindëror, derisa nuk kanë treguar për intervalin e vizitave për mirëqenien e tyre, që do duhej të kryheshin nga punëtori social.

“Vendimi është ai që flet, nuk mund të flas për një vendim që është marrë nga një kolegjium, por mund të them që është marrë një vendim prej një grupi të ekspertëve të cilët ishin pjesë e shqyrtimit gjyqësor. Vizitat e potencova që janë bërë sipas nevojës”, shprehet Makfirete Shamolli – drejtoreshë, Qendra për Punë Sociale, Lipjan.

Të rezervuar në informimin mbi mundësinë e neglizhencës së QPS-së ishin edhe nga Ministria e Punës e Mirëqenies. Në një konferencë për media, shkurtimisht treguan për veprimet që kanë ndërmarrë.

“Ne kemi ofruar pëlqimin për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar, të ato familje që janë të vlerësuara për të ofruar kujdes për fëmijët pa kujdes prindëror dhe autorizimin për njësinë inspektuese”, u shpreh Blerim Shabani – Drejtor për politikat për shërbime sociale dhe familjare.

Ndërkohë, Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve kërkon përgjegjësi nga institucionet duke vlerësuar se ka pasur dështim në mbrojtjen e fëmijëve. /Top Channel/

ME TE LEXUARAT