Dënimi i Thaçit, avokati reagon nga Haga: Kuvendi i Kosovës të votojë zhbërjen e gjykatës speciale

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper, ka deklaruar se është i shokuar nga aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar dëshmia e mbrojtjes.
Prosper ka thënë se rezultati i procesit ishte i parapërcaktuar, pasi gjykata ka injoruar dëshmitë e mbrojtjes dhe ka marrë parasysh pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
“Ky rezultat ishte i papërcaktuar. Kemi pasur dëshmitarë që ishin në terren dhe ndanë eksperiencat. Ata e bënë të qartë që Thaçi nuk kishte përgjegjësi dhe që kishte komandantë rajonalë”, ka thënë Prosper.
Sipas tij, gjykata ka dhënë një interpretim të historisë me të cilin ai nuk pajtohet.
“Kjo gjykatë rishkroi historinë duke thënë se ishte një organizatë kriminale. Do ta apelojmë”, ka deklaruar ai.
Prosper e ka cilësuar aktgjykimin si “ditë të zezë për drejtësinë ndërkombëtare”, duke ngritur pikëpyetje edhe për të ardhmen e tribunaleve ndërkombëtare.
“Fundi i tribunaleve ndërkombëtare, sepse çfarë vendi do të nënshkruante një gjykatë si kjo ku do të pranoheshin 100 për qind të atyre që i ka thënë Prokuroria dhe asgjë nga mbrojtja”, ka shtuar ai.
Avokati ka thënë gjithashtu se në aktgjykim është bërë një lidhje mes NATO-s dhe një “ndërmarrjeje kriminale”.
“Ata thanë që NATO bashkëpunoi me një ndërmarrje kriminale”, ka potencuar Prosper.
Ai ka treguar se pas vendimit ka biseduar me Thaçin dhe se pritet të takohet sërish me të. Sipas tij, ish-presidenti e vlerëson mbështetjen e qytetarëve dhe është i gatshëm të vazhdojë betejën ligjore.
“Ai e kupton se kjo është një betejë që vazhdon. Ai është i gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për të vazhduar luftën, për të luftuar për veten e tij, për Kosovën dhe për popullin e Kosovës”, ka thënë Prosper.
Ai ka kritikuar edhe formulimin e përdorur nga gjykata gjatë shpalljes së aktgjykimit, kur u tha se vendimi ishte “në emër të popullit të Kosovës”.
“Kjo është fyese. Sepse ky nuk ishte në emër të popullit të Kosovës. Ata nuk i dëgjuan provat”, ka deklaruar Prosper.
Lidhur me ankesën, ai ka thënë se shpreson që procesi i apelit t’i shqyrtojë të gjitha çështjet e ngritura nga mbrojtja dhe të çojë në një rezultat objektiv.
Prosper ka kërkuar gjithashtu që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë çështjen e Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se Kosova duhet të marrë vendime sovrane lidhur me këtë institucion.
“Nëse do të isha deputet i BE-së ose i Kuvendit të Kosovës, do ta tërhiqja mbështetjen time për këtë gjykatë që nesër. Sepse, sipas mendimit tim, ky ishte një abuzim me procesin, një abuzim me drejtësinë”, ka thënë ai.


