Shqipëria drejt BE-së / Mitsotakis vendos theksin te pronat : “Të drejtat e minoritetit grek nuk janë mbrojtur mjaftueshëm”

Shqipëria dhe rruga e saj drejt Bashkimit Europian ishte një nga çështjet për të cilat u pyet në konferencën tradicionale për shtyp kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut.
I pyetur për marrëdhëniet me Tiranën dhe problemet që lidhen me pronat dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, Mitsotakis tha se Athina mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por se çdo vend do të gjykohet veçmas për progresin e tij.
Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë u shpreh “Progresi që është bërë në regjistrimin e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave nuk është i mjaftueshëm. Të jeni të sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona për t’u siguruar që të drejtat e minoritetit mbrohen plotësisht.”
Kryeministri grek theksoi se çështja nuk është vetëm dypalëshe, por lidhet edhe me respektimin e së drejtës europiane. Hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave kërkon edhe miratimin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ka thënë ai. Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, kreu i qeverisë greke ishte edhe më i prerë, duke theksuar se nuk ka, në thelb, asnjë progres në negociatat europiane. Prandaj jemi në një fazë shumë më të hershme krahasuar me Shqipërinë, ka përfunduar ai.
Konferenca e shtypit erdhi një ditë pasi Mitsotakis shpalli nga Selaniku një paketë të gjerë masash ekonomike me rritje pagash dhe pensionesh, ulje taksash dhe ndihma për familjet, fermerët dhe bizneset, të cilat do t’i zbatojë nëse fiton edhe një mandat të tretë në pranverën e vitit 2027, kur janë parashikuar zgjedhjet parlamentare.
Partitë opozitare dhe disa media kritike ndaj qeverisë e pritën me skepticizëm fjalimin me masat ekonomike, ndërsa mijëra qytetarë, sindikata, fermerë dhe organizata protestuan në qendër të Selanikut të shtunën në mbrëmje kundër kostos së lartë të jetesës dhe politikave të qeverisë.
Përgjigja e plotë e Mitsotakis:
Për më shumë se 20 vjet, Greqia mbështet perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.Megjithatë, shumë nga dallimet që na ndajnë, si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, mbeten të pazgjidhura. A mendoni se i keni menaxhuar siç duhet marrëdhëniet me Tiranën dhe Shkupin? Mos ndoshta keni treguar tolerancë të tepruar në çështje që lidhen, për shembull, me pronat e anëtarëve të Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri dhe me moszbatimin e Marrëveshjes së Prespës nga qeveria e Mickoskit?
Kyriakos Mitsotakis: Greqia është në mënyrë të qëndrueshme në favor të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk do të thotë – dhe me të drejtë e vini në dukje – se çdo rast nuk është i veçantë dhe se progresi i çdo vendi drejt Europës vlerësohet individualisht. Dhe, natyrisht, varet edhe nga gjykimi i të gjitha vendeve europiane se kur do të hapet dhe kur do të mbyllet çdo kapitull në kuadër të negociatave me Bashkimin Europian.
Me të drejtë theksuat se kemi ende çështje me pakicën kombëtare greke në Shqipëri, të cilat ia kemi bërë të ditura Shqipërisë. Nuk është i mjaftueshëm progresi që është bërë në evidentimin(regjistrimin) e pronave dhe në mbrojtjen e të gjitha të drejtave. Dhe të jeni absolutisht e sigurt se, në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona, në mënyrë që të jemi absolutisht të sigurt se të drejtat e pakicës mbrohen. Dhe e dini, kjo nuk është një çështje dypalëshe. Është një çështje që lidhet me të drejtën europiane, me mbrojtjen e të drejtave. Dhe, natyrisht, e njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë e Veriut, ku sigurisht nuk ka asnjë progres, në thelb, sa u përket negociatave europiane. Pra, atje, gjithsesi, jemi në një fazë shumë më të hershme në krahasim me atë që po ndodh me Shqipërinë.


