Marta Kos kërkon respektimin e vendimit të Hagës: Vetëm pajtimi e çon rajonin drejt BE-së

Marta Kos reagoi pas vendimit të Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e UÇK-së, duke kërkuar që aktgjykimi të respektohet dhe duke theksuar se ai ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, jo me Kosovën.
Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në pajtimin dhe të punojnë për shërimin e plagëve të së kaluarës, duke nënvizuar se vetëm përmes pajtimit rajoni mund të ecë përpara drejt Bashkimit Europian.
"Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë.
Kjo ka të bëjë me llogaridhënien individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm nëpërmjet pajtimit vendet e rajonit mund të kapërcejnë përçarjet dhe të përparojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE." tha Kos.


