Nuk ka shpresa për Hashim Thaçin/ Gjykata e lë sërish në paraburgim

Kosovë&Rajon

Nuk ka shpresa për Hashim Thaçin/ Gjykata e lë sërish

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë deri në shpalljen e aktgjykimit për çështjen ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Thaçit, duke vlerësuar se ekzistojnë ende rreziqe që mund të ndikojnë në ecurinë e procesit gjyqësor.

Në vendimin e datës 10 gusht, gjyqtarët kanë argumentuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Thaçi do të përpiqej t’i shmangej drejtësisë nëse do të lirohej. Megjithatë, sipas tyre, mbetet shqetësimi se ai mund të ndërhyjë në procedurat gjyqësore ose të ndikojë te dëshmitarët.

Trupi Gjykues ka ngritur gjithashtu shqetësimin se lirimi i ish-presidentit mund të krijojë rrezik për ndërhyrje në proceset e Dhomave të Specializuara, si dhe për kryerjen e veprave penale ndaj personave të cilësuar si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë edhe dëshmitarë që kanë dhënë dëshmi në këtë proces.

Ndërkohë, aktgjykimi për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin pritet të shpallet më 16 shtator 2026.

Në të njëjtin vendim, gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk është më i nevojshëm një shqyrtim i radhës për masën e paraburgimit. Seanca për këtë çështje, e planifikuar më 9 tetor, nuk do të zhvillohet.

Katër ish-drejtuesit e UÇK-së po gjykohen në Hagë për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë i kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se nuk janë fajtorë për veprat për të cilat akuzohen.

ME TE LEXUARAT