Sejko jep sqarime për “Jet Bank”: Banka digjitale do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe sistemit të pagesave

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka dhënë sqarime lidhur me krijimin dhe funksionimin e “Jet Bank”, gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
I pyetur nga deputetët e opozitës, mes tyre Belind Këlliçi dhe Enno Bozdo, Sejko theksoi se zhvillimi i bankave digjitale është një proces që lidhet me konkurrencën në tregun financiar dhe me përshtatjen ndaj ndryshimeve teknologjike dhe rregullatore.

Sipas guvernatorit, Banka e Shqipërisë ka përgjegjësinë e plotë për monitorimin, mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë së institucioneve të tilla financiare, duke analizuar me kujdes funksionimin e tyre dhe ndikimin në sistemin bankar.
“Është përgjegjësia jonë të bëjmë analizat e nevojshme për mbikëqyrjen dhe sigurinë e bankave digjitale. Shqipëria ka krijuar tashmë një përvojë në fushën e teknologjisë financiare dhe të shërbimeve digjitale bankare, edhe pse ende nuk jemi në nivelet e vendeve europiane”, deklaroi Sejko.
Ai nënvizoi se ndryshimi kryesor mes “Jet Bank” dhe bankave tradicionale është se banka digjitale nuk do të pranojë transaksione me para fizike (cash), duke operuar tërësisht përmes kanaleve elektronike.
Guvernatori vlerësoi se zhvillime të tilla mund të kontribuojnë në formalizimin e ekonomisë dhe modernizimin e sistemit të pagesave në vend.
“Cash-i jashtë sistemit bankar vazhdon të jetë në nivele të larta në Shqipëri. Kjo përpjekje synon të lehtësojë sistemin e pagesave, të formalizojë më tej ekonominë dhe të sjellë më shumë para në sistemin bankar, duke mos mbetur pas zhvillimeve të kohës në monitorimin e pagesave”, u shpreh ai.
Deklaratat e Sejkos vijnë në një kohë kur projekti i “Jet Bank” ka ngjallur interes dhe debat publik, ndërsa Banka e Shqipërisë thekson se çdo zhvillim i ri në sektorin financiar do t’i nënshtrohet standardeve të mbikëqyrjes dhe sigurisë që garanton stabilitetin e sistemit bankar në vend.