Ahmetaj denoncoi skandalet e qeverisë, Rama flet për ish-zv.kryeministrin: Kisha investuar në një maskë karnavalesh

Politikë

Ahmetaj denoncoi skandalet e qeverisë, Rama flet për

Kryeministri Edi Rama ka folur për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, pasi ky i fundit denoncoi skandalet e qeverisë, duke komentuar edhe vendimin e tij për ta promovuar në poste të larta, si numrin dy të qeverisë, pavarësisht akuzave që ishin bërë publike.

I pyetur në podkastin “FlasimShqip” nëse kishte dijeni për persona të rëndësishëm pranë tij që kishin probleme me drejtësinë dhe për akuzat se kishin ndërhyrë në buxhetin e shtetit, Rama tha se nuk mund të bazohej vetëm te akuzat për të vendosur nëse një person duhet të qëndrojë apo jo në detyrë.

Kryeministri u justifikua duke thënë se fakti që edhe vetë ka qenë objekt akuzash, e ka bërë të besojë se edhe persona të tjerë mund të akuzohen padrejtësisht.

“Po të nisem unë nga akuzat dhe t’i përdor ato si argument për të mos e vendosur apo hequr dikë nga detyra, do të shkarkoja veten time çdo mëngjes ose çdo darkë. Sepse ja, jam akuzuar unë, ja, nuk është akuzuar njeri në këtë vend. Dhe kjo, duke e ditur shumë mirë veten, se veten e di mirë, më ka bërë të besoj se dhe të tjerët akuzohen padrejtësisht”, tha Rama.

Megjithatë, kryeministri pranoi se në rastin e Arben Ahmetajt, zhvillimet dhe hetimet ndaj këtij të fundit, treguan, sipas Ramës, se “kishte investuar në një maskë karnavalesh”.

“Por koha tregoi që, në rastin që ju përmendët, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në ndonjë aset publik për t’u besuar. Kështu i bie. Se në qoftë se pastaj del se burimi njerëzor ku ke investuar është i ndotur, apo njeri që ke parë ka qenë një maskë karnavalesh, është e dhimbshme, por është fakt”, deklaroi Rama.

Pjesë nga biseda:

Pyetje: Kishit dijeni për njerëzit tuaj, njerëz të rëndësishëm tuajt që kishin probleme me drejtësinë, që po vinin dorë në buxhetin e shtetit, kishit?

Rama: Dorën në buxhet është një temë më vete. Deri tani, unë nuk kam parë ndonjë dorë në buxhet të shtetit të provuar në gjyq, me përjashtim të pjesës që ka pasur të bëjë me gjykime të mëparshme. Por nuk kam parë një gjë të kësaj natyre të provuar me fakte.

Pyetje: Po akuza, po!

Rama: Akuza, po! Disa elementë shumë të dukshëm abuzimi, për mua dhe për ne, në dosjen e sjellë nga SPAK për inceneratorët, po. Por në buxhet të shtetit nuk kam parë ndonjë gjë domethënëse.

Pyetje: Duke dëgjuar shumë akuza, ju ishit imun ndaj tyre? Për shembull, Arben Ahmetaj akuzohet, ndërsa ju vendosët ta bënit zëvendëskryeministër. Kjo hyn te ajo faza që ju nuk kontrolloni apo besoni më shumë seç duhet? Apo Arben Ahmetaj është në rregull?

Rama: Po të nisem unë nga akuzat dhe t’i përdor ato si argument për të mos e vendosur apo hequr dikë nga detyra, do të shkarkoja veten time çdo mëngjes ose çdo darkë. Sepse ja, jam akuzuar unë, ja, nuk është akuzuar njeri në këtë vend. Dhe kjo, duke e ditur shumë mirë veten, se veten e di mirë, më ka bërë të besoj se dhe të tjerët akuzohen padrejtësisht.

Por koha tregoi që, në rastin që ju përmendët, unë kisha investuar në një maskë karnavalesh, jo në ndonjë aset publik për t’u besuar. Kështu i bie. Se në qoftë se pastaj del se burimi njerëzor ku ke investuar është i ndotur, apo njeri që ke parë ka qenë një maskë karnavalesh, është e dhimbshme, por është fakt.

ME TE LEXUARAT