Ç’po ndodh me të rinjtë shqiptarë? Tushi: Rasti i 3 vajzave në Fier, kafshëri! Adoleshentët nuk janë jetimë, fajtore edhe..

Dhuna mes adoleshentëve po kthehet në një fenomen gjithnjë e më alarmant në shoqërinë shqiptare. Së fundmi, një video shokuese po qarkullon në rrjet, ku dy vajza të mitura shfaqen duke dhunuar një bashkëmoshatare të tyre.
Pamjet rëndohen edhe më shumë nga fakti se akti brutal është filmuar nga një tjetër adoleshent, duke dëshmuar një prirje të frikshme për të zgjidhur konfliktet përmes agresivitetit ekstrem.
I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "ORA NEWS" , sociologu, Gezim Tushi, u shpreh se ngjarje të tilla po thellohen dita-ditës dhe po dëshmojnë një problem tepër të rëndë social.
Sipas analizës së tij, agresiviteti i të rinjve po arrin në nivele drastike, ku dhuna është kthyer në diçka irracionale që nuk ka lidhje me humanitetin, por ngjan me një instinkt kafshëror që dominon plotësisht mbi arsyen.
Sociologu Tushi nënvizon se mosha e adoleshencës ka specifikat e veta, si hendeku i madh midis pjekurisë fizike, zhvillimit seksual dhe asaj mendore, por përgjegjësia thelbësore mbetet te shoqëria. Sipas tij, 'mëkatarët' e vërtetë për këtë sjellje janë institucionet e edukimit, e veçanërisht familja.
Fëmijët nuk janë thjesht një produkt biologjik, por një produkt social i familjes. Kur familja, si 'fabrika' kryesore e edukimit human dhe qytetar dështon dhe përcjell modele të dhunshme, ajo prodhon adoleshentë të cilët riprodhojnë të njëjtin model brutal në shoqëri.
"Po, natyrisht ngjarja është shumë e rëndë, është tronditëse. Sigurisht nuk është rasti i parë që ndeshemi me këto probleme të adoleshencës dhe të dhunës së adoleshentëve e cila është bërë një limfë shumë e zgjeruar në shoqërinë shqiptare.
Fakti që përditë po ndeshemi me skena të tilla ku adoleshentët shfaqen agresivë ndaj njëri-tjetrit, bile ndonjëherë edhe në nivele të tilla sikurse ishte rasti i Fierit, ku adoleshentët janë gati të pamëshirshme ndaj shoqeve të tyre, duke ushtruar një dhunë e cila është gati-gati iracionale, një dhunë që nuk është fare, nuk ka fare lidhje me humanitetin, por është një lloj, një lloj zoofilie, një lloj një ndjenjë kafshërie, një lloj dominimi të instikteve mbi arsyen.
Problemet me adoleshentët kanë filluar të agravohen shumë në shoqërinë shqiptare. Fakti që në mënyrë enumerative ne kemi ngjarje të herëpashershme të tilla të dhunës së adoleshentëve, flet për një problem të madh social të shoqërisë.
Në fakt globalisht ka një shqetësim i cili ka ardhur, jo vetëm i importuar si të thuash tek ne, por edhe organikisht. Dhe kjo ka të bëjë me situatën e adoleshentëve dhe me nivelin e dhunës që ata shfaqin, agresivitetin që shfaqin.
Agresiviteti i adoleshentëve është një çështje që duhet konsideruar ontologjikisht e lidhur me moshën e tyre, dhe adoleshentët janë përballë dy rreziqeve shumë të mëdha të cilat ne si shoqëri, si familje, si shkollë ose nuk i vlerësojmë sa duhet, ose i nënvlerësojmë si komponent moshor duke mos i vlerësuar aq sa duhet.
Së pari, problemi i parë është ajo që ka të bëjë me specifikën moshore të adoleshentëve dhe kjo duhet kuptuar mirë. Adoleshentët janë në moshën e tyre dhe kanë problemet e tyre, që lidhen me statusin e tyre social, që lidhen me strukturën e tyre fiziologjike, moshore, që lidhen me gjithë komponentët e tjerë.
Mosha e adoleshencës është mosha e dukjes, mosha e forcës, mosha kur ata e konsiderojnë veten të pjekur, kur duan të dominojnë, kur kanë rivalitete, kjo është mosha e tyre. Kur raporti midis pjekurisë biologjike, pjekurisë seksuale dhe pjekurisë mendore nuk janë gjithmonë në ekuilibër dhe në mënyrë të barabartë.


