50-vjeçari vdiq pasi ra nga skela teksa punonte, arrestohen dy kontraktorët në Berat!

Humbja e jetës në mënyrë tragjike të një punëtori 50-vjeçar në Berat ditën e djeshme, teksa ishte duke rikonstruktuar një banesë, i ka kushtuar arrestimin 2 personave që e kontraktuan atë për punimet.
Burime zyrtare njoftuan sot se u ndaluan E.Z., 40 vjeç dhe L.T., 43 vjeç, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Viktima është Pëllumb Mollaj. Nga verifikimet rezultoi se të arrestuarit kishin nënkontraktuar Mollajn për rikonstruktimin e një banese në lagjen “Uznovë”. Ngjarja ndodhi dje, pasi ka rënë nga skela teksa rikonstruktonte një banesë, rreth orës 11:00. Ngjarja dyshohet aksidentale.
“Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme, për shtetasin P. M. që humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga skela, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasit E. Z., 40 vjeç dhe L. T., 43 vjeç, për veprën penale ‘shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’”, bëri me dije Policia e Beratit.


