Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes Tiranës dhe Torontos, Kanada

Aktualitet

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

Tiranë, 19 qershor 2026 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi sot nisjen e fluturimit të parë direkt drejt Torontos, Kanada. Kjo linjë e re shënon një arritje historike për industrinë e aviacionit në Shqipëri, duke qenë fluturimi i parë transoqeanik në historinë e vendit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

Avioni Airbus A330-200, i nisur nga Toronto, u ul në TIA në orën 13:30, ku u prit në një ceremoni të veçantë nga Ministri i Energjisë dhe Transportit, z. Enea Karakaçi, si dhe nga drejtues të lartë të Kastrati Group dhe TIA-s. Në orën 16:00 u nis fluturimi i parë nga Tirana drejt Torontos, duke hapur rrugën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Air Transat, e vlerësuar si “Kompania më e mirë ajrore për udhëtime turistike në botë” nga Skytrax World Airline Awards, është partneri më i ri i TIA-s dhe do të operojë një fluturim në javë, çdo të premte, deri më 8 tetor 2026.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

Avioni i kësaj linje është i dedikuar për fluturime të gjata dhe garanton një udhëtim të rehatshëm, me shërbim sipas standardeve më të larta. Nisja e këtij bashkëpunimi përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e hartës së destinacioneve direkte të TIA-s dhe në përmirësimin e lidhjeve ajrore mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut.

Vendosja e fluturimeve direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë ka një ndikim që shkon përtej kufijve të Shqipërisë; ajo do të shërbejë si një portë lidhëse me Amerikën e Veriut për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

Falë investimit të vazhdueshëm të Kastrati Group, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është transformuar në aeroportin më të frekuentuar të rajonit dhe tashmë përmbush standardet e aviacionit modern për fluturime ndërkontinentale.

Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, e cilësoi vendosjen e linjës direkte të Air Transat mes Torontos dhe Tiranës si një moment përcaktues për lidhjet ajrore të Shqipërisë:

“Kjo linjë e parë ndërkontinentale nga TIA hap një portë strategjike drejt Atlantikut të Veriut, duke e afruar Shqipërinë me një nga komunitetet e saj më të rëndësishme të diasporës dhe duke krijuar mundësi të reja për turizmin, tregtinë dhe investimet. Kjo linjë e re pasqyron rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë dhe besimin që partnerët tanë globalë kanë ndaj tregut shqiptar. Jemi krenarë për partneritetin me Air Transat në këtë linjë historike dhe presim me optimizëm suksesin e saj”, – tha z. Farabbi.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

“Si e vetmja kompani ajrore që ofron një fluturim pa ndalesë mes Amerikës së Veriut dhe Tiranës, jemi jashtëzakonisht krenarë që sjellim shërbimin tonë në këtë linjë unike”, – deklaroi z. Howard Liebman, zëvendëspresident për Marrëdhëniet Qeveritare në Air Transat. “Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet më tërheqëse të Evropës, duke kombinuar çmime konkurruese me bukurinë natyrore, trashëgiminë e pasur kulturore dhe përvojat autentike. Kjo linjë forcon praninë tonë në një treg me potencial të lartë dhe pasqyron strategjinë tonë për zhvillimin e linjave me vlerë të shtuar që përmirësojnë lidhjet dhe forcojnë rrjetin tonë transatlantik”, – u shpreh z. Liebman.

Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, u shpreh se të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme:

“Aeroporti i Tiranës prej disa vitesh mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve dhe mjafton shifra e ndryshuar në shtatë apo nëntë vitet e fundit, nga 2016-a në 2025-ën, për të kuptuar se çfarë rritjeje marramendëse ka ndodhur.

Në vitin 2016, kur filloi një fazë e re e punës së përbashkët për transformimin e aeroportit dhe modernizimin e aviacionit civil, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë, një shifër që parashikohet të kalojë 100 mijë në fund të kësaj dekade dhe në fillim të dekadës tjetër.

Ashtu siç, nga ana tjetër, nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Aeroporti i Tiranës është një nga aeroportet e para në Evropë që ka hedhur hapin e kalimit në check-in dhe check-out të dixhitalizuar. Ndërkohë, së shpejti, do të hapim një kapitull të ri të transformimit dixhital të aeroportit: portat dixhitale, ku do të kalohet pa asnjë kontroll nëse je shtetas shqiptar dhe ke pasaportë biometrike shqiptare”, – tha z. Rama.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

“Më 30 maj, në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ u regjistrua dita me numrin më të lartë të pasagjerëve në histori, me 51,420 pasagjerë në vetëm një ditë”, – deklaroi Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit. “Ky rekord pasqyron rritjen e kërkesës për Shqipërinë, zgjerimin e lidhjeve me tregjet ndërkombëtare dhe efektivitetin e politikave tona për promovimin e vendit si destinacion konkurrues gjatë gjithë vitit. Linjat ajrore direkte nga tregje të mëdha si Amerika e Veriut janë strategjike, sepse sjellin udhëtarë me qëndrim të gjatë, afrojnë diasporën dhe gjenerojnë turizëm cilësor”, – tha z. Gonxhja.

“Nisja e fluturimit të parë pa ndalesë mes Torontos dhe Tiranës përfaqëson një moment historik në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë”, – u shpreh Enea Karakaçi, Ministër i Energjisë dhe Transportit i Republikës së Shqipërisë. “Kjo lidhje e re do t’i afrojë qytetarët tanë, do të forcojë lidhjet me diasporën shqiptare në Kanada dhe do të krijojë mundësi të reja për turizmin, biznesin, investimet dhe shkëmbimet kulturore. Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe përmirësimi i lidhjeve ajrore është thelbësor për këtë zhvillim. Mirëpresim vendimin e Air Transat për të investuar në këtë linjë dhe presim të zgjerojmë më tej bashkëpunimin”, – tha ai.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nis fluturimet direkte mes

Ambasadorja e Kanadasë në Shqipëri, znj. Elissa Golberg, u shpreh: “Ky është një moment historik, sepse nuk shënon vetëm fluturimin e parë direkt mes Kanadasë dhe Shqipërisë, por edhe fluturimin e vetëm që lidh drejtpërdrejt Amerikën e Veriut me Tiranën. Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të mirëpresim këtë linjë të re ajrore. Kjo linjë është një arritje që meriton të festohet. Dëshiroj të falënderoj Air Transat dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës për ndërtimin e kësaj ure të re mes Kanadasë dhe Shqipërisë.”

Rreth Air Transat
E themeluar në Montreal në vitin 1987, Air Transat është një nga linjat kryesore ajrore të udhëtimeve në Kanada dhe është shpallur në vitin 2025 “Kompania më e mirë ajrore për udhëtime turistike në botë” nga pasagjerët në Skytrax World Airline Awards. Kompania ofron fluturime drejt destinacioneve ndërkombëtare, kryesisht në Evropë, Karaibe, Amerikën e Jugut dhe Afrikën e Veriut. Air Transat njihet për cilësinë e lartë të shërbimit ndaj klientit dhe operon me një flotë avionësh ndër më efikaset për konsum karburanti në kategorinë e tyre. Me seli në Montreal dhe qendra kryesore operimi në aeroportet Montréal–Trudeau (YUL) dhe Toronto Pearson (YYZ), kompania numëron rreth 5,000 punonjës.

Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të regjistrojë rritje të qëndrueshme, duke zgjeruar rrjetin e destinacioneve dhe partneritetet me linjat ajrore, si dhe duke investuar në infrastrukturë, teknologji dhe përmirësimin e përvojës së pasagjerëve. Si porta kryesore ajrore e Shqipërisë, TIA luan një rol kyç në lidhjen e vendit me Evropën dhe destinacione të tjera ndërkombëtare.

ME TE LEXUARAT