“Ka laborator kokaine në Kolumbi”, Gazetari: Kush është shqiptari më i rëndësishëm se Dritan Gjika në hierarkinë e trafikut ndërkombëtar

SPAK ka finalizuar dy operacione të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave gjatë ditëve të fundit, duke vendosur masa sigurie për disa persona dhe duke sekuestruar qindra pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro. Sipas hetimeve, fitimet e dyshuara nga trafiku i kokainës nga Amerika Latine drejt Europës janë investuar ndër vite në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Live në Mëngjes”, gazetari Artan Hoxha tha se dy goditjet e fundit të SPAK-ut hedhin dritë mbi mënyrën se si grupet shqiptare të trafikut të kokainës kanë operuar për vite me radhë në bashkëpunim me rrjete kriminale në Amerikën Latine dhe Europë.
Sipas tij, hetimet tregojnë se paratë e gjeneruara nga trafiku i drogës nuk janë mbajtur jashtë vendit, por janë investuar në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare.
Gazetari theksoi se këto dosje dëshmojnë jo vetëm shtrirjen ndërkombëtare të organizatave kriminale, por edhe aftësinë e tyre për të depërtuar në ekonominë formale përmes investimeve të mëdha dhe kompanive të ndryshme.
Hoxha: Shqetësimi ynë kryesor janë organizatat kriminale që veprojnë në Shqipëri. Ky është halli jonë. Janë organizatat që shesin lëndë narkotike te dyert e shkollave 9-vjeçare. Nëse grupet arrijnë të krijojnë varësi te fëmijët, ka siguruar tregun për 3-4 dekada, sepse ata janë përdoruesit. SHBA është tregu më i madh sot në botë i përdoruesve. Beteja nuk fitohet vetëm duke goditur narkotrafikantët. Kohët e fundit Shqipëria po bën një lëvizje të madhe për të përfituar sa më shpejt nga anëtarësimi në BE. Një nga kriteret që ne jemi më mirë është kjo pjesë, ne po nxitojmë të godasim grupet që shesin narkotikë në vendet e BE-së. BE-ja është tregu më i pasur. Çdo organizatë kriminale do që të shesë në Bashkimin Evropian. Kjo para informale që është në BE e bëjnë vetëm shqiptarët? Jo! Shqiptarët tani kanë hyrë atje, u futën vonë në treg. Operacioni i SPAK të premten e kaluar, ishte një dosje e referuar që në vitin 2021.
Hoxha tha se një pjesë e rëndësishme e këtyre hetimeve mbështetet në të dhëna të platformës “Sky”, të cilat sipas tij kanë zbuluar komunikime dhe lidhje mes personazheve të ndryshëm të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Ai u ndal edhe te disa emra të përmendur në dosje, mes tyre Isa Aliu, por theksoi se, sipas vlerësimeve të tij, ai nuk mund të konsiderohet figura kryesore e këtyre rrjeteve kriminale.
Ai u ndal edhe te një kod PIN i përmendur në dosjen belge, i cili sipas tij mbetet ende i pazbardhur dhe lidhet me një personazh shumë më të rëndësishëm në këtë rrjet. Hoxha tha se bëhet fjalë për një shqiptar me peshë të madhe në trafikun ndërkombëtar të kokainës, i cili sipas hetimeve ka shkuar deri në krijimin e laboratorëve të prodhimit në Kolumbi.
Hoxha: Kryesisht këto hetime mbështeten te të dhënat e SKY. Ti përmende disa emra, ishte ai Aliu. Të gjithë ata që e njohin narkotrafikun kanë qeshur, sespe s’është ai kreu. S’mund të jetë Aliu para Dritan Gjikës që ka financuar 5 mln dollarë presidentin e Ekuadorit në zgjedhje. Ai ka 16 vjet që është i vendosur në Ekuador. Aty është Eldi Dizdari, nga doli Aliu?
Te hetimi i parë, aty përmendet gjatë gjihë kohës nga prokuroria belge, është një kod pin shumë interesant. Ende nuk është zbuluar se kush është ai. Është një shqiptar shumë më i rëndësishëm se këta. Pse? Sepse ka laborator kokaine në Kolumbi. Një njeri që ka laborator kokaine në Kolumbi ku ekzistojnë disa nga kartelet më të forta të planetit, e kupton në çfarë niveli ka vajtur? Ekuadori në vetvete nuk është vend prodhues. Prodhimi i kokainës bëhet në Kolumbi, Bolivi, Peru. Ekuadori është vend tranziti. I madh ishte Dritan Gjika, por ky tjetri që ka dhe laboratorin dhe prodhin vetë, e imagjinoni në çfarë përmasa ka shkuar?
SPAK në Shqipëri ka bërë vetëm zbardhjen dhe dërgimin e lëtër porosive. Ky është sukses. Këto janë hetime historike. Por jemi duke goditur deri në 2021. Nga ky vit, cilat janë grupet e reja?
Të gjithë këta që janë goditur në dy aksionet e fundit nuk janë personazhe të ekspozuar ndaj ngjarjeve të rënda. Mes narkotrafikantëve ka një hierarki. Kemi ata që e shohin si biznes dhe kujdesen që mos bëjnë këto krimet e tjera, pastaj kemi trafikantët që përfshihen në krime më të rënda dhe kemi trafikantë të cilët bëjnë pastrime parash dhe janë përfshirë edhe në lidhjet politike. Shqiptarët ende nuk kanë një kartel, kanë aleanca.


