Çahet një pjesë e argjinaturës në Labionot Fushë, rrezikohen 200 banesa

Një situatë problematike u evidentua një ditë më parë në fshatin Labinot Fushë, pas çarjes së një pjese të argjinaturës së vjetër që mbron tokat bujqësore, rreth 200 banesa të zonës si dhe pompat e furnizimit me ujë të qytetit të Elbasan.
Banorët njoftuan menjëherë për rrezikun e krijuar, ndërsa strukturat e Emergjencës Civile pranë Bashkisë reaguan në kohë reale duke nisur ndërhyrjen në terren për stabilizimin e situatës.
Argjinatura, e ndërtuar në vitet ’80 dhe e dëmtuar herë pas here nga prurjet e larta të Shkumbin, një prej lumenjve kryesorë që përshkon territorin e Bashkisë së Elbasanit dhe ndikon drejtpërdrejt në zonat bujqësore e infrastrukturën mbrojtëse, pësoi një rrëshqitje që rrezikoi përkeqësimin e saj.
Gjatë gjithë mbrëmjes dhe natës u morën masa paraprake për të parandaluar zgjerimin e çarjes, ndërsa situata u mbajt nën kontroll.
Që në orët e para të mëngjesit, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me Bordin e Kullimit dhe strukturat e Emergjencës Civile, vijoi punën intensive në terren.
Aktualisht po vendosen rreth 300 blloqe betoni për mbushjen dhe përforcimin e argjinaturës, si dhe për rikthimin e lumit në shtratin e tij fillestar. Të gjitha mjetet dhe forcat janë të përqendruara në zonë, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk paraqitet situatë emergjente për banorët.


