"Ajo dhe fëmijët me makina luksi, apartamente në Durrës e Tiranë", bashkëshorti i Elisabeta Matajt kallëzon ish-shefen e Financës së Postës

Një kallëzim i ri penal i shtohet çështjes së abuzimit me fondet e filialit të Postës Shqiptare në Durrës.
Siç raporton Top Channel, marrja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së Financës së Postës Durrës, Valbona Duni, duket se ka hapur një tjetër front hetimor.
Dy ditë pasi Gjykata vendosi masën e sigurisë ndaj saj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në masën “arrest në burg”, ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza të rënda ndaj ish-shefes së Financës Valbona Duni. Mataj, Duni dhe P. Dana akuzohen nga prokuroria, pas kallëzimit të Postës Shqiptare, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.


