Bilanc lufte në 48 orë për shkak të aksidenteve/ Humbën jetën 5 persona në fundjavë, disa të plagosur rëndë

Kjo fundjavë ka shënuar një bilanc tragjik të viktimave në rrugë. 5 persona kanë gjetur vdekjen në aksidente rrugore mes tyre babë e bijë, teksa mjeti me të cilin udhëtonin ra në kanal pranë fshatit Gocaj në Lezhë.
Anton Keçi 54 vjeç mjek dhe vajza e tij Bora Keçi 19 vjeçe studente e mjekësisë u gjetën nga policia disa orë më pasi djali kësaj familje denoncoi zhdukjen e babait dhe motrës.
Dyshohet se aksidenti ndodhi në orët e pasdites, teksa babë e bijë ktheheshin nga puna ku angazhoheshin me kohë të pjesshme në Kampin e Refugjatëve në Gjadër. Mendohet se aksidenti i rëndë ndodhi për shkak të humbjes së kontrollit të mjetit nga 19-vjeçarja.
Mbrëmja e së shtunës shënoi një tjetër aksident tragjik. Në aksin Elbasan Librazhd pranë fshatit Labinot mjeti i cili drejtohej nga një 45-vjecar ka dalë nga rruga e për pasojë ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit ndërsa është plagosur bashkëshortja që udhëtonte me të.
E premtja gjithashtu u mbyll me 2 viktima duke e çuar në 5 numrin në dy ditë. Në aksin Elbasan-Cerrik një 28-vjeçar gjati vdekjen e menjëhershme pas përplasjes së fortë të mjetit me të cilin udhëtonte me një tjetër automjet.
Po aq e fortë ishte përplasja në rrugën Fushë Krujë-Milot prej së cilës u copëtua tërësisht një mjet ndërsa gjeti vdekjen pasagjerja që udhëtonte në të. Në të tilla rrethana policia bën apel për kujdes të shtuar dhe respektim të normave të shpejtësisë, e cila në shumicën e rasteve rezulton shkaku kryesor.