Detaje nga shpërthimi i bombolës në Fier/ Ndërtesa përdorej si pikë tregtimi gazi, pronari njëri nga të lënduarit
Ndërtesa ku shpërtheu bombula në Fier shërbente si pikë e vogël tregtimi gazi, njëri prej të lënduarve është pronari
Në lagjen “1 Maji” të Fierit, një bombul gazi shpërtheu aksidentalisht në një ndërtesë që përdorej si pikë e vogël tregtimi gazi, duke shkaktuar djegie tek dy persona, përfshirë edhe pronarin e objektit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 të së hënës, ku sipas burimeve zyrtare, shpërthimi i bombulës shkaktoi zjarr dhe panik në zonë. Dy të lënduarit, shtetasit E.T., 63 vjeç dhe A.R., 41 vjeç, u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal Fier për trajtim mjekësor. Aktualisht, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia vijon hetimet në vendngjarje për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse janë respektuar kushtet e sigurisë për magazinimin dhe tregtimin e gazit në këtë pikë.
Banorët e zonës u alarmuan nga shpërthimi dhe ndihmuan me mjete rrethanore deri në mbërritjen e zjarrfikësve, të cilët neutralizuan flakët dhe shmangën përhapjen e zjarrit në ndërtesat përreth.