Dhunoi brutalisht nënën dhe u hodh në det, gjendet i mbytur 20-vjeçari shqiptar

Trupi i pajetë i 20-vjeçarit me origjinë shqiptare, Riccardo Merkuri, është gjetur në mesditë në ujërat pranë portit të Civitanova Marche, në Itali, një ditë pasi ai ishte hedhur në det.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, i riu dyshohet se është futur me dëshirë në ujë pas një episodi të rëndë dhune në familje. Mësohet se ai kishte goditur nënën e tij me grushte në fytyrë, duke e lënë të plagosur. Pas konfliktit, 20-vjeçari ishte larguar nga banesa në Pollenza me automjetin e tij “Mercedes”, ndërsa telefonin celular e kishte lënë në shtëpi. Që prej mbrëmjes së së premtes, familjarët nuk kishin arritur të lidhen me të. Më vonë, makina e tij u gjet e parkuar pranë hyrjes së portit në Civitanova Marche.
Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë filmuar fillimisht duke lëvizur në zonën portuale dhe më pas në momentin kur hidhej në det. Në një tjetër regjistrim ai shihet duke dalë për pak çaste në sipërfaqe, për t’u hedhur sërish, pa u parë më.
Menjëherë pas denoncimit, autoritetet nisën operacionin e kërkimit, ku u angazhuan zjarrfikësit, polumbarët, Garda Bregdetare dhe karabinierët. Për shkak të mungesës së dritës, kërkimet u pezulluan gjatë natës dhe rifilluan në orët e para të mëngjesit me ndihmën e dronëve. Trupi u lokalizua më pas në zonën detare përballë portit.
Ndërkohë, nëna e tij, 53 vjeçe, u gjet e plagosur në banesë dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit të Maceratës, ku po trajtohet në terapi intensive. Sipas burimeve spitalore, ajo ndodhet në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Familja, me prejardhje shqiptare, jeton prej mbi 20 vitesh në Itali dhe është e njohur në komunitetin e Pollenzës. Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht dinamikën e kësaj ngjarjeje të rëndë./Shqip


