“Die Presse" vë në pikëpyetje rrugën e Shqipërisë drejt BE-së në 2030-ën/ Pas hapjes rekord të kapitujve, nisin pengesat

Aktualitet

“Die Presse" vë në pikëpyetje rrugën e

Pavarësisht ritmit rekord në procesin e integrimit europian, Shqipërinë e presin sfida të reja në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Hapja e të gjitha kapitujve të negociatave brenda një kohe të shkurtër është cilësuar si një arritje e rëndësishme, por mbyllja e tyre dhe përmbushja e standardeve europiane pritet të jetë një proces më i gjatë dhe më i vështirë.

Sipas një analize të publikuar nga gazeta austriake “Die Presse”, Tirana ka bërë një “nisje të vrullshme” drejt BE-së, duke hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe duke përmbushur disa prej kritereve të vendosura nga Brukseli. Megjithatë, sfidat kryesore lidhen me zbatimin në praktikë të reformave, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e institucioneve të pavarura.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria nuk ka “plan B” përveç anëtarësimit në BE. Sipas tij, vendi ka një strategji të qartë dhe mbështetjen e partnerëve europianë për të vijuar procesin.

Por objektivi i shpallur nga kryeministri Edi Rama për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 shihet me më shumë skepticizëm. Analiza vlerëson se procesi mund të kërkojë më shumë kohë, pasi përtej hapjes së kapitujve, sfida më e madhe është mbyllja e tyre me rezultate konkrete.

Ndërkohë, tensionet e brendshme politike dhe protestat kundër disa projekteve të qeverisë, përfshirë planet për ndërtimin e resorteve luksoze, përmenden si faktorë që mund të ndikojnë në perceptimin e progresit demokratik të vendit.

Pas një starti të shpejtë, rruga e Shqipërisë drejt BE-së duket se hyn në një fazë më të vështirë, ku ritmi do të përcaktohet jo vetëm nga hapja e kapitujve, por nga zbatimi real i reformave.

ME TE LEXUARAT