Berisha për dosjen “KAYO”: “Ka prova për shkelje e korrupsion”, akuzon Ramën se mbrojti Ballukun

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te çështja e kompanisë “KAYO”, duke deklaruar se dosja e dërguar nga PD në SPAK përmban të dhëna dhe dokumente për shkelje ligjore dhe korrupsion.
Berisha tha se bëhet fjalë për një rast që, sipas tij, tregon probleme të mëdha me ligjshmërinë dhe akuzoi institucionet e drejtësisë për ndikim nga qeveria.
“Ky rast është një nga rastet e shumta, që faktojnë se SKAP është nën kontrollin e qeverisë. Në këtë sipërmarrje janë denoncuar dhe konstatuar shkelje të mëdha ligjore. Konflikte të rënda dhe korrupsione të mëdha. Dosja e dërguar përmban dokumente të panumërta”, tha Berisha.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për çështjen Balluku, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se e ka mbrojtur atë përmes shumicës parlamentare.
“Mos harroni një moment, pasi përdori 83 mandatet si mburojë për Lubi Ballukun, Rama deklaroi se çështja Balluku është e mbyllur. Ndaj këto thirrjet e saj në SPAK janë procedura pa vlerë. Edi Rama në luftën e shpallur ndaj sistemit dhe drejtësisë, ka mjetet e kontrollit absolut mbi të”, u shpreh kreu i PD-së.


