Dosja e SPAK/ Tufa me euro dhe dhoma të mbushura me kokainë, dalin bisedat mes trafikantëve

Detaje të reja po dalin në dritë nga hetimi për grupin kriminal të goditur rreth dy javë më parë, i dyshuar për veprimtari të paligjshme në trafikun e lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave me origjinë kriminale. Nga komunikimet e administruara gjatë hetimit, zbardhen episode që hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të grupit dhe përmasat e aktivitetit të tij financiar.
Në një komunikim të datës 11.05.2020 evidentohet një bisedë ku përmendet shtetasi Alfredo Hamzai, i cili, sipas materialeve hetimore, shfaqet duke komunikuar për sasi të konsiderueshme parash dhe lëndësh narkotike, shkruan InfoNews.
Konkretisht, në bisedat e zbardhura rezulton se Alfredo Hamzai i ka dërguar Orest Sotës në Sky Ecc materiale fotografike ku shfaqen, sipas përshkrimit të tij dhe të dhënave të administruara nga hetimi, rreth 900 blloqe kokaine, si dhe fotografi të shumave të mëdha monetare në kartëmonedha me prerje 500 euro, të sistemuara në tufa.
Këto komunikime janë pjesë e elementëve të mbledhur nga hetuesit për të dokumentuar lidhjet mes personave të dyshuar dhe mënyrën se si menaxhoheshin sasitë e drogës dhe paratë që dyshohet se vinin nga aktiviteti kriminal.
Hetimi vijon për të zbardhur plotësisht rolin e secilit person të përfshirë, burimin e fondeve dhe rrjetin e bashkëpunëtorëve të dyshuar.


