Dumani kritika Policisë së Shtetit: Ka rënie me 40% të kallëzimeve, mundësitë për bashkëpunim janë më të mëdha

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka shprehur kritika në drejtim të Policisë së Shtetit, e cila sipas tij ka rënie të numrit të kallëzimeve, megjithëse mundësitë për bashkëpunim janë të mëdha.
Në një intervistë televizive në RTSH, Dumani theksoi se SPAK bashkëpunon çdo ditë me Policinë e Shtetit, e cila kryen një pjesë të hetimeve, ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Megjithatë, ai ngriti një shqetësim që ka të bëjë me rënien e referimeve.
“Kam konstatuar një realitet, që ka të bëjë me rënien e numrit të referimit nga Policia e Shtetit, me 40%, dhe kjo është pasqyruar edhe në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend.”, tha ai.
Kreu i SPAK pranoi se bashkëpunimi ka anët e veta pozitive, por shtoi se ka ende vend për kritika, të cilat i ka bërë hapur. Ai beson se potenciali i bashkëpunimit është shumë më i madh, duke pasur parasysh shtrirjen e Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit është një institucion që ka të paktën mbi 10 mijë punonjës të cilët janë në terren, në kontakt me qytetarët dhe mund të rrisnin numrin e kallëzimeve në Prokurorinë e Posaçme,” theksoi Dumani.


