E rëndë/ Qytetarët helmojnë tre qen e mace në Gjirokastër, gjendjen pajetë në mes të sheshit

Aktualitet

E rëndë/ Qytetarët helmojnë tre qen e mace në

Helmimi i kafshëve vijon të mbetet një fenomen tepër shqetësues në vendin tonë, i cili fatkeqësisht po rritet çdo ditë e më shumë. Shumë kafshë humbin jetën në mënyrë tragjike për shkak të veprimeve çnjerëzore të individëve të papërgjegjshëm, që duket sikur nuk tremben nga ligjet e shtetit, megjithëse ky akt barbar dënohet me ligj.

Një rast i tillë ka ndodhur këtë mëngjes në Gjirokastër. Një qytetare i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar këtë ngjarje. Ajo thotë se në orën 07:00 të mëngjesit, të paktën tre qen dhe mace kanë humbur jetën pas helmimit.

Pamjet që ajo ka dërguar janë tronditëse, pasi një qenush i pafajshëm shtrihet në pragun e një ndërtese, duke u përpëlitur, ndërsa nga goja i del shkumë e bardhë. Denoncuesja thekson se asnjë nga kafshët e vrara nuk ishte agresive. Përkundrazi, ato ishin të qeta dhe shumë miqësore me njerëzit.

“Çdo ditë helmojnë qen në Gjirokastër para syve të publikut. Ju lutem bëni një postim. Kjo ndodhi sot në orën 7 të mëngjesit. Ata vranë më shumë se tre qen dhe mace. Ne humbëm pothuajse të gjithë qentë nga helmimi. Të gjithë ishin miqësorë, askush prej tyre nuk sulmoi njerëzit”, shkruan ajo në mesazhin e saj për JOQ.

Ky nuk është rasti i parë i dhunës ndaj kafshëve në Shqipëri. Vetëm një javë më parë, një tufë me kuaj u qëlluan me armë zjarri në Vlorë, ndërsa në raste të tjera autorë të helmimeve janë raportuar të kenë qenë vetë institucionet lokale, që në fakt duhet të kujdesen për këto kafshë.

Keqtrajtimi dhe helmimi i kafshëve duhet të marrë fund. Autorët e këtyre krimeve duhet të ndëshkohen me dënime shembullore, në mënyrë që kafshët e pafajshme të mund të jetojnë të qeta ashtu siç meritojnë.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT